Albin Kurti - LV - FOTO KALLXO

Gjykata Supreme 'dera e fundit’ për Albin Kurtin  

Gjykata Supreme e Kosovës është dera e fundit në të cilën kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Albin Kurti mund të ‘trokas’ për të kërkuar të drejtën e tij për të kandiduar në zgjedhjet e 14 shkurtit.

LV pritet që sot gjatë ditës t`i drejtohet Gjykatës Supreme për t`u ankuar ndaj vendimit të Paneli Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa (PZAP) i cili dje la jashtë listës zgjedhore të LV-së, prijësin e kësaj liste, Albin Kurti, Albulena Haxhiun, Liburn Aliun, Labinotë Demi-Murtezin dhe Bajram Mavriqin.

PZAP dje ka certifikuar vetëm listën e kandidatëve të LV-së që nuk kanë probleme me ligjin, nuk janë të dënuar në 3 vitet e fundit me vendim përfundimtar.

Deri te ky vendim i PZAP-së, erdhi pasi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të premten nuk kishte certifikuar listën e kandidatëve të LV-së, pasi që Këshilli Gjyqësor i Kosovës kishte treguar së në këtë listë ka persona që kanë probleme me ligjin.

Kurti dhe të tjerët mund t`i drejtohen edhe Gjykatës Kushtetuese, por që KQZ-ja nuk duhet ta pres vendimin e kësaj gjykate për të vazhduar me mbajtjen e zgjedhjeve.

Kryetari i LV-së, Albin Kurti është njeriu më i votuar në Kosovë në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019.

Sipas rezultateve të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Kurti grumbulloi 183,952.00 vota.

Ai kishte formuar koalicion për të qeverisur më Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), duke u zgjedhur kryeministër i vendit më 3 shkurt të vitit të kaluar për t`u shkarkuar nga ky post më 25 mars, pas një mocioni të ngritur nga LDK-ja.