Hoti: Osmani do ta marrë atë që e meriton

Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, tha të premten gjatë takimit me strukturat e partisë në Lipjan, se ata ‘që e tradhtuan LDK-në së fundmi, do të marrin atë që e meritojnë’.

Duke iu referuar edhe u.d Presidentes Vjosa Osmani që iu bashkua listës së Lëvizjes Vetëvendosje, ai tha se ka vënë në ballë logon e LVV-së.

“Njerëzit e LDK-së do të qëndrojnë në LDK dhe në fund të fundit, secili do të marrë atë që e meriton, edhe ish kolegia jonë do të marrë atë që meriton, në vend se të ishte në listë me Kujtim Shalën, Arben Gashin e të tjerët ajo do të jetë në listë me Fitore Pacollin e të tjerët, me atë marrëveshjen e djeshme ajo vendosi në ballë logon e VV-së, por votuesi i LDK-së do të qëndroj në LDK dhe nuk do të shkojnë në listat tjera”, tha Hoti.

Ai potencoi faktin se kjo fushatë zgjedhore do të jetë mjaft e vështirë për faktin se janë përballë dy koncepteve të kundërta.

“ Gara politike do të bëhet mes të vërtetës dhe propagandës, do të jetë garë në mes të mentalitetit qeverisës pro evropian qytetar dhe në mes të diktaturës dhe censurimit të fjalës së lirë. Një gjë tjetër që duhet theksuar është së në këto zgjedhje njerëzit nuk do të votojnë në Facebook por në kutitë e votimit”, tha kandidati i LDK-së për kryeministër.