Hoti: Në pesë lokacione në Kosovë po kërkojmë për varreza masive

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti ka deklaruar se kanë filluar punën në pesë lokacione brenda Kosovës për varreza masive, por siç tha ai, nuk janë të lokacione të vetme.

Hoti njoftoi se si komision në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë janë duke punuar në ndryshimin e Ligjit për të pagjeturit.

“Kemi adresuar një rekomandim të mos të quhet ligji për personat të zhdukur, por ligji i personave të zhdukur me forcë. Kemi filluar të punojmë në pesë lokacione brenda Kosovës, por jo vetëm. Për hir të mos shqetësimit të familjarëve nuk kemi bërë publike vendet ku janë bërë zbulimi i varrezave masive. Kemi edhe shume të tjera në territorin e Serbisë”, tha Hoti në komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione.

Sipas Hotit, mangësi qe kanë si komision është mungesa e saktë e informacionit.

“Një nga sfidat kryesore është qasja në arkivat shtetërore të ushtrisë së Serbisë. Kjo nuk do të thotë që është rruga e vetme për të hulumtuar tutje”, tha tutje ai.