Kandidati i LDK-së, për kryeministër, Avdullah Hoti Foto: LDK/Facebook

Hoti akuza ndaj LVV-së: Janë komunistë me orientim nga lindja - nuk kanë vend në Kosovë

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër, Avdullah Hoti ka bërë akuza të rënda në drejtim të Lëvizjes Vetëvendosje, duke i quajtur komunistë.

Hoti, i cili pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019 ka qenë zëvendëskryeministër në qeverinë me kryeministër Albin Kurtin, në një tubim elektoral në Kamenicë, ka thënë se ata [LVV], nuk kanë vend në Kosovë.

“Gjatë këtij procesi është vonuar shtet-ndërtimi i Kosovës për disa vite për shkak të sjelljeve të këtyre, por tash është mjaft, tash qytetarët e Kosovës e kanë të qartë kush janë këta njerëz. Sepse pas 15 viteve aktivitet të kamufluar me protesta nëpër rrugët e Prishtinës, me përgjakje të policisë më në fund e nxorën kokën tamam ashtu siç janë, komunist me orientim nga lindja. Më në fund e nxorën kokën me shamia të kuqe, por ata nuk kanë vend në Kosovë, qytetarët e Kosovës i kanë thënë jo regjimit të mëparshëm”, ka thënë Hoti.

Ai tha se pas 14 shkurtit do të provojnë që “këta njerëz” t’i integrojnë në shoqëri dhe t’i duan.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare do të mbahen më 14 shkurt.