Haxhiu: U kam dërguar grupeve parlamentare ftesë për konsensus në procesin e Vettingut

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se takimi i sotëm i grupit punues për hartimin e procesit të Vettingut është një hap më afër drejtësisë.

Ajo potencoi se u ka dërguar ftesë grupeve parlamentare që të ketë një konsensus për këtë proces.

“Ky takim është një hap më shumë drejt Vettingut në sistemin e drejtësisë. Secili qytetar ka të drejtë të ketë një sistem i drejtësisë të pavarur dhe efektiv. Dje u kam dërguar ftesë të gjitha grupeve parlamentare me qëllim të arritjes së konsensusit politik për reformën në drejtësi. Pres që gjatë këtyre ditëve dhe javë të ardhshme të takohem më secilin grup në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu theksoi se për momentin, sistemi i drejtësisë është shumë i ndikuar nga jashtë dhe procesi i Vettingut do të rris integritetin e institucioneve të drejtësisë.

“Për fat të keq gjendja e sotme e këtyre institucioneve është e ndikuar  nga jashtë. Ky proces do mundësojë që në sistemin e drejtësisë  të ketë gjyqtarë dhe prokurorë me integritet më punën e tyre”, shtoi Haxhiu.

Ministrja Haxhiu tutje theksoi se koncept dokumentin e kanë dërguar edhe në Komisionin e Venecias dhe kanë marr përgjigje pozitive që do trajtohet dhe do vijë përgjigje.