Haxhiu për vrasjen e gruas shtatzënë: Sikur Prokuroria të ishte në krye të detyrës, rasti mund parandalohej

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se gruaja shtatzënë e cila u vra mbrëmë në oborrin e QKUK-së, kishte raportuar në korrik të këtij viti tek organet e rendit për dhunë psikike dhe fizike.

Sipas Haxhiut, prokuroria të dyshuarin e kishte liruar në procedurë të rregullt.

Haxhiu para mediave pas takimit ndërministror e quajti këtë papërgjegjësi të prokurorit të rastit.

“Me urgjencë kemi mblidhur grupin ndërministror kemi diskutuar për veprimet ndërinstitucionale në raport më këtë rast. Sipas informative nga policia, viktima kishte raportuar në korrik të këtij viti të dyshuarin për dhunë psikike dhe fizike dhe prokuroria e kishte liruar në procedurë të rregullt. Është një papërgjegjësi institucionale, është një papërgjegjësi e prokurorit të rastit sepse ne në vazhdimësi po bëjmë thirrje që të mbrojnë jetërat e grave dhe vajzat” – u shpreh ajo.

“Sikurse prokuroria të ishte në krye të detyrës, rasti i tillë mund të ishte parandaluar. Kemi edhe disa informacione të tjera të cilat për shkak të hetimeve nuk mund t’i bëjë të ditura dhe urojë që të më mirëkuptoni për ketë. Ju garantojmë se secili prej institucioneve qoftë nga policia, Ministria e Shëndetësisë, qendra për punë sociale janë të obliguar dhe kanë marrë përgjegjësi që të verifikojnë secilin veprim institucional kur është raportuar dhuna” – deklaroi ministrja Haxhiu.

Haxhiu tha se në takimin ndërministror që u mbajt sot, nuk morën pjesë asnjë përfaqësues nga Prokuroria dhe Gjyqësori.

Ajo thotë se deri sot nuk ka asnjë prokuror, as gjyqtar që ka dhënë dorëheqje për shkak se nuk e ka kryer detyrën.

“Në momentin që do të verifikohet dështimi institucional, personi përgjegjës do të jap dorëheqje. Të gjithë ne që jemi, kemi përgjegjësi në përputhje me legjislacionin në fuqi. Kompetencat janë të ndara, pro ju garantoj se nëse shohim se ka dështu dikush, do të ketë dorëheqje, do të ketë shkarkim” – tha ministrja Haxhiu.

Ministrja Haxhiu deklaroi se me reformën në drejtësi – nuk do të ketë prokurorë dhe gjyqtarë që nuk do ta kryejnë detyrat e tyre

“Fatkeqësisht as prokuroria, as gjykata nuk kanë qenë të pranishëm, në fakt do të duhet të kishin më shumë ndërgjegjeje morale, njerëzore dhe profesionale. Nuk kam koment për veprimet e tyre” – u shpreh ajo.

Një grua shtatzënë është vrarë mbrëmë në oborrin e QKUK-së ndërsa Policia është vënë në kërkim të të dyshuarit, i cili pasi kreu krimin është larguar në drejtim të panjohur.

Tri gëzhoja janë gjetur në vendin ku është kryer krimi.

S.H., i dyshuari për vrasjen e gruas shtatzënë në oborrin e QKUK-së më saktësisht në hyrje të Klinikës së Gjinekologjisë, është dënuar në shtator të këtij viti me gjobë për armëmbajtje pa leje.

Gjykata Themelore në Ferizaj ka konfirmuar për KALLXO.com se i dyshuari, me datë 23 shtator të këtij viti është shpallur fajtor për mbajtje në pronësi të armës pa leje dhe ndaj të njëjtit është shqiptuar dënimi me gjobë.