Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj, në seancën e parë të sesionit vjeshtor parlamentar, përmend Nexhat Krasniqin

Ramush Haradinaj deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i ka drejtuar pyetje kryeministrit Albin Kurti për Nexhat Krasniqin, i cili sipas tij, nga Lëvizja Vtëvendosje vlerësohej si “baba i tendetrëve”, në kohën kur kryeministër ishte Haradinaj.

“Kam pyet tre ministrat e juaj, atë të Dritësisë, Transportit dhe atë të Rendit për ‘babën e tenderëve’ për një kryehajn që emrin e ka Nexhat Krasniqi, sipas atyre tre ministrave dhe i pyes çdo seancë sa herë muj edhe nuk më kanë dhënë përgjigje. Si kryeministër unë ju kam kthy përgjigje dhe jam interesu kush është personi edhe ka rezultu që ai është largu prej pune. A e dini ju për Nexhat Krasniqin a është Nexhati ende kryekriminel, baba i tenderëve, apo është i mirë ai. Apo ju kryeministër e tre ministrat e tu, jeni më të këqij se Nexhati”, tha Haradinaj.

Ai drejtoi pyetje edhe për vizitën e ministrit të Ambientit Liburn Aliut në Beograd.

“Qysh ka kalu Liburni në Beograd dhe çka është puna e korridorit të hekurudhave”, tha Haradinaj.

Haradinaj, edhe në seancën e 27 majit tha se ministri i Ambientit, Liburn Aliu e ka të punësuar në ministrinë e tij, Nexhat Krasniqin për të cilin sipas Haradinajt, LVV ka thënë që është ‘kupola e krimit’.

Ndërkaq, sa ishte në opozitë, më 8 qershor 2018 deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, ka pyetur kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, se si do ta luftoj krimin e korrupsionin në nivele të larta.

Sipas tij ishte shqetësuese kthimi i Nexhat Krasniqit në Ministri të Infrastrukturës, që udhëhiqet nga një ministër që vjen prej subjektit politik i kryeministrit.

Kryeministrit i kërkohet llogari për kthimin në punë të Nexhat Krasniqit