Hakerët sulmojnë postën elektronike të FBI-së

Hakerët kanë sulmuar sistemin e jashtëm të postës elektronike të Byrosë Federale të Hetimit të SHBA-së (FBI), tha agjencia e zbatimit të ligjit, duke konfirmuar raportet e mëparshme të mediave.

Mediumi Bloomberg më 13 nëntor raportoi se hakerët dërguan dhjetëra mijëra email-a të rremë nga një llogari e FBI-së, duke paralajmëruar për një sulm të mundshëm kibernetik.

Disa nga e-mailet ishin me titull: “Urgjente: kërcënim në sisteme”.

Grupi i pavarur i sigurisë Spamhaus raportoi se emailet e rreme u dërguan në dy periudha herët më 13 nëntor nga një adresë në Portalin e Ndërmarrjeve të Zbatimit të Ligjit të përdorur nga agjenci të shumta qeveritare.

Autoritetet amerikane thanë se ishin në dijeni të e-maileve të rreme që dërgoheshin nga një llogari e FBI-së, por dhanë pak detaje.

“Kjo është një situatë në zhvillim dhe nuk jemi në gjendje të japim ndonjë informacion shtesë në këtë moment. Ne vazhdojmë të inkurajojmë publikun që të jetë i kujdesshëm”, tha FBI dhe Departamenti i Sigurisë Kombëtare.

Nuk ka asnjë të dhënë se si u dërguan email-at ose cilat sisteme mund të ishin komprometuar. REL