Uzina e përpunimit të thellë të naftës në Ballsh | Foto: Besar Likmeta

Gratë naftëtare në grevë urie: ‘Kanë punuar qorrat dhe kanë ngrënë horrat’

Mimoza Muhametit i dridhej zëri nga këputja të dielën në mëngjes; megjithatë ajo dukej më e vendosur se kurrë për të vazhduar grevën e urisë.

Një ditë më parë, 56-vjeçarja kishte përfunduar në spital për shkak të hipertensionit, por pasi kishte marrë mjekim nga mjekët – ishte kthyer për t’iu bashkuar protestës në katin e dytë të një prej ndërtesave administrative të Uzinës së Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh.

“Na ka vajtur thika në eshtër, nuk durojmë dot më, vetëm të vdekura dalim që këtej,” tha Muhameti, e cila ka punuar në rafinerinë e Ballshit për 36 vite.

“Askush mos ta mendojë se do të dalim, derisa të marrim lekët e prapambetura, se është gjaku jonë dhe djersa e jonë,” shtoi ajo, ndërsa theksoi se ndjehej e mashtruar dhe kurrë nuk e kishte menduar se gjërat do të arrinin në këtë pikë.

Pesë ditë më parë, dhjetë gra naftëtare të Uzinës u futën në grevë urie, duke zëvendësuar kolegët e tyre burra që rezistuan për 18 ditë.  Prej muajit shkurt,  870 punëtorët e rafinerisë së Ballshit protestojnë për rrogat e prapambetura që nuk i marrin prej vitesh nga rafineria, e cila ka ndërruar disa herë pronar që nga privatizimi i saj nga biznesmeni famëkeq Rezart Taçi në vitin 2008.

Mimoza Muhameti, 56-vjeç, prej 5 ditësh në grevë urie | Foto : Besar Likmeta

Qeveria nuk ka ofruar zgjidhje, por ka deklaruar se rafineria është në pronësi të privatit dhe ata nuk mund të imponohen. Të hënën, kryeministri Edi Rama u mundua t’i bindte gratë greviste ta braktisnin grevën, duke deklaruar se rezistenca e organizuar nuk ishte rruga e duhur për të gjetur një zgjidhje.

“I ftoj vëllazërisht ta ndërpresin grevën dhe jam i gatshëm të ulem e të bisedoj me ta për këtë hall të përbashkët, por jo kështu,” shkroi Rama në Tëitter.

“Kështu jo, sepse presionet e ultimatumet nuk funksionojnë në asnjë familje dhe punëtorët e Ballshit nuk bëjnë përjashtim nga ky parim i panegociueshëm,” shtoi kryeministri, i cili gjatë kohës që ishte në opozitë në vitin 2010, i pati futur deputetët e tij në një grevë urie të mbajtur në një çadër përpara ndërtesës së Këshillit të Ministrave në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit.’

Që nga marsi 2018, rafineria është menaxhuar nga kompanitë Tosk Energji dhe Bylis Energji, të cilat janë në pronësi të dy kompanie zvicerane, CFD Conseils Sarl dhe PGFS Pilotage & Gestion S.

Së fundmi, KPTHN e Ballshit administrohet nga kompania Allum Enterprises, e cila ka negociuar me naftëtarët, por pa dhënë ndonjë zgjidhje konkrete për rifillimin e punës dhe pagesën e rrogave të prapambetura.

Në maj, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi se Bankers dhe Allum kishin arritur marrëveshje për rifillimin e punës në KPTHN-në e Ballshit. Por kur naftëtarët protestues pushtuan simbolikisht  Uzinën të enjten, askush nuk u duk nga kompania Allum për t’i dalë zot asaj dhe aq më pak për të ofruar zgjidhje.

“Nuk doli askush të thoshte më prishe shtëpinë, më prishe pronën,” thotë Taulant Zotaj, anëtar i Sindikatës së Bashkuar të Naftëtarëve.

Edhe Merjeme Fejzaj, e cila ka punuar si teknologe në rafineri që ku mbaroi Teknikumin në moshën 18-vjeçare, shprehet se punëtorët nuk po dinë kujt t’i drejtohen.

“Përderisa u shqye porta e Uzinës dhe punëtorët u futën në çdo repart, kjo do të thotë se nuk ka pronar,” tha 56-vjeçarja. “Privat thotë ai [kryeministri], por privatët ai i sillte; një ikte, një vinte, duke lënë borxhe, një-pas-një dhe ashtu u akumuluan lekët tona dhe nuk na i japin,” shtoi ajo.

Punonjëset e rafinerisë i thanë BIRN se kanë 25 rroga të prapambetura pa marrë nga Uzina, për gjysmën e të cilave kanë fituar edhe gjyqin kundër kompanisë, por vendimi nuk ekzekutohet.

“Kemi marrë urdhër ekzekutimi nga gjykata për 13 rroga – me urdhër ekzekutimi të padiskutueshëm,” tregon Dhurata Ali, nënë e dy vajzave studente, e cila punon prej 34 vitesh si laborante në Uzinë.  “Nuk e di pse nuk ekzekutohet,” ankohet ajo, ndërsa shton se për të mbijetuar është detyruar të marrë borxh, pasi edhe të shoqin e ka papunë.

Mimoza Muhameti ankohet se vuajtjet e naftëtarëve kanë rënë në vesh të shurdhër; megjithëse protestojnë prej muajsh në Ballsh dhe në Tiranë.

“Kemi vajtur në Tiranë, jemi përleshur me policinë, polici shumë e dhunshme, na i kanë nxirë krahët na i kanë bërë sterrë,” u ankua ajo, duke bërë përgjegjëse ministren e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku.  “Ndjehemi shumë të mashtruar,” shtoi ajo.

Shoqja e saj greviste, Mejreme Fejzaj është në një mendje, ndërsa thekson se premtimet e kryeministrit dhe qeverisë së tij të majtë në letër kanë dalë boshe.

“Mashtrim pa fund deri sa arritëm këtu, në grevë urie,” tha 53-vjeçarja, nënë e një vajze – e cila është detyruar të ndërpresë shkollën për estetiste në Tiranë për shkak të gjendjes së rënduar financiare të familjes.

“Kanë punuar qorrat dhe kanë ngrënë horrat – atje lart,” përfundoi ajo. (reporter.al)