Policia. Foto: Gentiana Ahmeti, KALLXO.com

Grabitjet dhe vepra të tjera penale bëjnë bashkë Policinë dhe disa institucione

Janë intensifikuar angazhimet e përbashkëta të institucioneve të ndryshme për të parandaluar veprat penale si grabitjet e armatosura, vjedhjet, lëndimet e rënda trupore e deri tek incidentet si shpërthimi i bombolave të gazit.

Sipas Policisë së Kosovës, këto diskutime janë bërë në dy takime të mbajtura nga drejtori i Operacioneve të Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha me përfaqësues të Bankës Qendrore, Shoqatës së Bankave dhe Kompanive të Sigurimit Privat dhe tjetri me përfaqësues nga Ministria e Punëve të Brendshme, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, përfaqësues nga Inspektorati për Energji nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit.

Në këto takime morën pjesë edhe përfaqësues nga Divizioni për Siguri Publike i PK-së, Drejtoria e Policimit në Bashkësi dhe Preventivë në Policinë e Kosovës si dhe nga Drejtoritë Rajonale Policore.

 Drejtori i Departamentit për Operacione në Polici, Gazmend Hoxha, potencoi rëndësinë e bashkërendimit të veprimeve përmes aktiviteteve/takimeve të tilla të përbashkëta në mënyrë që çështjet e tilla sipas rëndësisë të adresohen në institucionet kompetente.

“Ndër të tjera u potencua se Policia e Kosovës është e gatshme në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj në aspektin e sigurisë së përgjithshme dhe ofrimin e mbështetjes për institucione tjera në funksion të zbatimit të ligjit dhe procedurave ligjore në përgjithësi” thuhet në njoftim.