Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca

Glauk Konjufca ngushëllon familjen Thaçi: Do të jetë i pranishëm në kujtimet që ka lënë pas

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, nëpërmjet një telegrami ka ngushëlluar familjen Thaçi, për vdekjen e Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit Hashim Thaçi.

Në telegramin e ngushëllimit, Konjufca ka shprehur ngushëllimet në emër të Kuvendit të Kosovës.

“Ndonëse nuk është më në këtë jetë, Haxhi Thaçi do të jetë i pranishëm në kujtimet që ka lënë pas, në zemrat e atyre që e patën pranë dhe ndanë jetën me të. U prehtë në paqe!“ – thuhet në telegramin e kryetarit Konjufca.

Telegram ngushëllimi i kryekuvendarit, Glauk Konjufca dërguar familjes Thaçi.

Haxhi Thaçi është varrosur të martën, më 18.03.2025, në fshatin Burojë të Skenderajt, në prani të një numri të madh të qytetarëve nga të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët.

ceremoninë e varrimit të Haxhi Thaçit morën pjesë personalitete të njohura politike e ish-pjesëtarë të UÇK-së.

Në varrim nuk mori pjesë ish-presidenti Hashim Thaçi, i cili ndodhet në paraburgim në Hagë.

Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Luka Misetiq ka thënë se Kërkesa për të qenë pjesë e ceremonisë së varrimit është bërë më 17.03.2025, në orën 14:00. Mirëpo, pavarësisht Kërkesës, avokati Misetiq njoftoi se Thaçi nuk do të merrte pjesë në varrimin e babait të tij.

KALLXO.com ka raportuar se Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë deklaruar se “për mometin” Gjykata nuk është në gjendje të japë informacion për ndonjë Kërkesë apo Vendim konkret, në lidhje me Kërkesën për vizitën e ish-presidentit Hashim Thaçi në Kosovë, pas vdekjes së babait të tij, Haxhi Thaçi më 16.03.2025.

Specialja thotë se Kërkesat dhe Vendimet për të paraburgosurit janë konfidenciale. Gjykata më tej thekson se vizita të tilla, kur urdhërohen nga gjykatësit që të ndodhin, mund të marrin kohë që të koordinohen dhe të organizohen.

“Kjo për shkak se Kërkesat e një të paraburgosuri dhe Vendimet për ato Kërkesa janë fillimisht gjithmonë konfidenciale, për arsye që përfshijnë privatësinë dhe sigurinë operacionale.” – thekson Gjykata Speciale në një njoftim.

Ditë më parë, Gjykata Speciale e ka lejuar Hashim Thaçin ta vizitojë babanë e tij në QKUK.

Pasi ka përfunduar vizitën te babai i tij, Hashim Thaçi është kthyer në Hagë, ku po gjykohet për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit”, bashkë me ish-eprorët e tjerë të UÇK-së, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.