Prapa grilave - Ilustrim

Gjykata vendos ndaj dy të dyshuarëve për gjuajtjen me armë në drejtim të policisë

Gjykata e Prishtinës ia ka caktuar 30 ditë paraburgim dy të pandehurve për shkak të veprave penale vrasje në tentativë, armëmbajtje pa leje dhe sulm ndaj personit zyrtar.

Sipas njoftimit, më datë 15 mars 2022, derisa dy zyrtarët policor ishin angazhuar në planin operativ për parandalim të vjedhjeve dhe veprave tjera penale janë sulmuar nga dy të pandehurit.

Sipas gjykatës, i pandehuri M. R., fillimisht kishte tentuar t’i godasë me veturën e tij zyrtarët policor E. B., dhe L. H., dhe më pas nga vetura kishte shtënë me armë në drejtim të këtij të fundit.

“I dyshuari M. R. i cili fillimisht kishte tentuar t’i godasë me veturën e tij BMW dhe më pas nga vetura kishte shtënë me armë në drejtim të zyrtarit policor L. H., i cili paraprakisht i ishte prezantuar si zyrtar policor dhe e kishte urdhëruar që të ndalet. Mirëpo, i dyshuari nuk kishte përfillë urdhrin dhe nga një distancë e shkurtë kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të tij”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se pas ndalimit të të dyshuarit, dy zyrtarët policor ishin sulmuar nga i pandehuri tjetër I. P., i cili i kishte goditur me grushte.

Pas arritjes të njësive të tjera policore, të dyshuarit janë arrestuar.

Me rastin e caktimit të paraburgimit gjykata ka ardhur në përfundim se kërkesa e prokurorisë është e bazuar dhe e argumentuar në këtë fazë të procedurës.

Ndaj këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.