Gjyle Gashi nga Tërnja e Suharekës pranë varrit të së bijës, Besartës, e vrarë nga forcat serbe në mars 1999. Foto: BIRN

Gjykata serbe liron komandatin serb për krimet në Tërnje të Suharekës

Gjykata e Apelit në Beograd ka konfirmuar lirimin e ish komandantit të brigadës së ushtrisë jugosllave, Pavle Gavriloviq, i cili u akuzua se urdhëroi që “nuk duhet të ketë të mbijetuar” në një sulm në fshatin Tërrnje të Suharekës më 25 mars 1999.

Megjithatë, gjykata mbështeti dënimin e oficerit të tij vartës, Rajko Kozlina, duke e dënuar atë me 15 vjet burg.

“Gjykata e shkallës së parë konkludoi në mënyrë të saktë se nuk kishte prova të mjaftueshme në çështjen aktuale që Pavle Gavriloviq lëshoi ​​një urdhër” që të mos të ketë të mbijetuar”, që nënkuptonte vrasjen e civilëve – banorë të fshatit Tërrnje”, thuhet në shpjegimin e aktgjykimit të lëshuar më 12 dhjetor por botuar në faqen e internetit të Gjykatës së Apelit të hënën.

Ai më tej sqaroi se dëshmia nga një dëshmitar i cili tha se kishte dëgjuar Gavriloviq duke lëshuar urdhrin, por që ishte e pamjaftueshme dhe nuk  u mbështet kjo dëshmi me prova të tjera relevante gjatë procedurës.

Kjo “gjithashtu vë në dyshim besueshmërinë e dëshmitarit”, dhe kështu hedh dyshime në pretendimin e prokurorit nga aktakuza”, thuhet në vendim.

Në kohën e sulmit ndaj fshatit Tërrnjë, Gavriloviq ishte komandant i batalionit të pasëm të Brigadës së 549-të të Motorizuara të Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë Jugosllave, dhe Kozlina ishte udhëheqës i një kompanie teknike në brigadë.

Në aktgjykimin e shkallës së parë në prill të këtij viti, Kozlina u dënua se e çoi njësitë e tij në Tërrnje, duke gjuajtur mbi dy civilë, të cilët mbijetuan, dhe urdhëroi ushtarët e tij të ndiznin zjarr ndaj civilëve të tjerë në fshat, duke shkaktuar vdekjen e 15 personave.

Midis viktimave kishte të moshuar dhe një djalë katër vjeç.

Të mbijetuarit e masakrës së Tërnjes druajnë se gjykata serbe nuk sjell drejtësi

Aktakuza kishte pretenduar se Gavriloviq urdhëroi sulmin.

Ai dyshohej se i kishte ndarë burrat e tij në tre grupe, me të pandehurin Kozlina në njërin prej tyre, dhe i urdhëroi ata të hynin në fshat dhe të pastrojnë etnikisht zonën.

Gjykatësja Mirjana Iliq tha teksa dha aktgjykimin e shkallës së parë në prill se nuk ishte provuar se Gavriloviq dha një urdhër që “nuk duhet të kishte të mbijetuar”.

“Gjykata konstaton se [akuzat kundër Gavriloviq] nuk mbështeten me prova,” tha Iliq ndërsa lexoi aktgjykimin.

Dhoma e gjyqit vendosi që urdhri për të lënë asnjë të mbijetuar “nuk mund të ishte lëshuar” dhe liroi Gavriloviqin.