
Gjykata merr Vendim ndaj dy të dyshuarve për vrasjen në Skenderaj
Gjykata e Mitrovicës, përmes një njoftimi, më 14.02.2025, ka bërë të ditur se e ka aprovuar Kërkesën e Prokurorisë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurëve H.I. dhe B.I., babë e bir, të dyshuar se kanë kryer veprën penale “vrasjen e rëndë”, në Skenderaj, më 12.02.2025.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj, për H.I. dhe B.I., të dyshuar për vrasjen e I.I., 42 vjeçar.
Në njoftim thuhet së të pandehurit kishin kryer veprat penale: “vrasje e rëndë” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
KALLXO.com ka raportuar nga vendi i ngjarjes, më 12.02.2025, për vrasjen në Skenderaj.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë kishte kërkuar masën e caktimit të paraburgimit ndaj dy të dyshuarve, pasi që të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprën penale “vrasje e rëndë”.
Sipas Prokurorisë, të dyshuarit, më 12.02.2025, në një lokal në Skenderaj kishin privuar nga jeta I. I., 42 vjeçar.
“Më 12 shkurt 2025, në një lokal në sheshin ‘Adem Jashari’, në Skenderaj, të pandehurit, së bashku e të vetëdijshëm për veprimet e tyre, me dashje e privojnë nga jeta tani të ndjerin I. I., ashtu që derisa viktima ishte duke pirë kafe në lokal, të pandehurit posa hyjnë në lokal i nxjerrin armët dhe shtinë në drejtim të viktimës I. I. dhe goditjet rezultojnë vdekjeprurëse për të ndjerin.” – thuhet në njoftim, më 14.02.2025, të Prokurorisë së Mitrovicës.