
Vrasja në Skenderaj, arrestohet edhe i dyshuari i dytë
Policia e Kosovës ka njoftuar se pas veprimeve intensive është arrestuar edhe personi i dytë i dyshuar për rastin e vrasjes në Skenderaj.
Vrasja ka ndodhur sot, më 12.02.2025, rreth orës 14:00 në një lokal në rrugën “Sala dhe Hamit Jashari”.
I dyshuari me iniciale B.I. është arrestuar në Prishtinë dhe tek ai janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale të cilat ndërlidhen me rastin, tha Policia.
“Në lidhje me rastin-Vrasje e rëndë, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në Mitrovicë Jug, pas veprimeve intensive kanë arritur të identifikojnë lokacionin dhe të arrestojnë edhe personin e dytë të dyshuar për këtë rast” – thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndërsa, hetuesit në koordinim me prokurorin janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme proceduralo-hetimore për zbardhjen e të gjitha rrethanave të rastit.