
Vrasja në Skenderaj: Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarit
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, për të pandehurit H.I. dhe B.I., pasi që të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprën penale “vrasje e rëndë”.
Sipas Prokurorisë, të dyshuarit, më 12.02.2025, në një lokal në Skenderaj kishin privuar nga jeta I.I., një 42 vjeçar.
“Më 12 shkurt 2025, në një lokal në sheshin ‘Adem Jashari’, në Skenderaj, të pandehurit, së bashku e të vetëdijshëm për veprimet e tyre, me dashje e privojnë nga jeta tani të ndjerin I.I., ashtu që derisa viktima ishte duke pirë kafe në lokal, të pandehurit posa hyjnë në lokal i nxjerrin armët dhe shtijnë në drejtim të viktimës I.I. dhe goditjet rezultojnë vdekjeprurëse për të ndjerin.” – thuhet në njoftim, më 14.02.2025, të Prokurorisë së Mitrovicës.
Prokuroria ka bërë të ditur se që nga data 12.02.2025, që nga koha e kryerjes së kësaj vepre penale, dy të dyshuarit gjenden në ndalim.
KALLXO.com ka raportuar, më 12.02.2025, për vrasjen në Skenderaj.