Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gjykata Kushtetuese gjen shkelje në vendimet e Themelores, Apelit dhe të Supremes në lidhje me rastin Telekom – Z Mobile

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur të paktën dy shkelje, në lidhje me vendimet e Gjykatës Themelore fillimisht, e më pas të Apelit e të Supremes, në lidhje me rastin Telekom dhe Z Mobile.

Sipas Kushtetueses, gjykatat e lartëcekura nuk kanë marrë parasysh argumentet e Telekomit, të paraqitura pranë këtyre gjykatave, në çështjen e përmbarimit privat, që e kishte parashtruar kompania ‘Dardafon’, në pronë të së cilës ishte ‘Z – Mobile’.

Çështja fillimisht ka të bëjë me Marrëveshjen për Shërbimet Mbështetëse të Operatorit Virtual të Rrjetit Mobil, të lidhur në mes të Telekomit të Kosovës dhe kompanisë private ‘Dardafon’, për ofrimin e shërbimeve të telefonisë mobile.

Kompania ‘Dardafon’, kishte iniciuar tri procedura të ndryshme në Gjykatë. Fillimisht procedurën para Tribunalit të Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare, lidhur me zgjidhjen e kontestit nga Marrëveshja e lartëcekur në mes dy palëve, e cila kishte rezultuar në nxjerrjen e një vendimi, përmes të cilit, ndër të tjera, Telekomi detyrohej që kompanisë t’i paguaj një shumë të caktuar parash, për mos respektim të marrëveshjes.

Çështja e dytë që ‘Dardafon’ kishte iniciuar ishte lidhur me njohjen e Vendimit të Tribunalit të Arbitrazhit, vendim që ishte njohur nga Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit, e që kishte marrë formën e prerë. Ndërsa çështja e tretë e iniciuar nga kompania private, ishte lidhur me përmbarimin e Vendimit të Tribunalit të Arbitrazhit.

Telekomi i Kosovës kishte ushtruar prapësim në Gjykatën Themelore kundër Urdhrit Përmbarimor të nxjerrë nga përmbaruesi privat, pas kërkesës së ‘Dardafon’.

“Kontestuese ndërmjet palëve në procedurat e zhvilluara para Gjykatës Themelore, ndër tjerash, ishte shuma e përgjithshme e borxhit kryesor, përkatësisht shuma e cila do të ishte objekt përmbarimi. Për pasojë, Gjykata Themelore kishte nxjerr një Konkluzion përmes të cilit detyroi kompaninë “Dardafon”, që në afat prej tri (3) ditësh, të bëjë precizimin e propozimit për përmbarim përkitazi me shumën e përgjithshme të borxhit kryesor”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Më pas, ‘Dardafon’ kishte dorëzuar në Themelore plotësimin e propozimit për përmbarim dhe një ekspertizë vetanake.

Gjykata Themelore, këto dokumente ia kishte dorëzuar Telekomit, i cili i kishte pranuar me 6 korrik 2020, ndërsa përgjigjen në lidhje me këtë e kishte dorëzuar të nesërmen, me 7 korrik.

Por që Themelorja nuk e kishte pritur këtë përgjigje dhe kishte nxjerrë vendimin menjëherë me datën 6 korrik.

“Megjithatë, më 6 korrik 2020, Gjykata Themelore kishte nxjerrë vendimin e saj, duke refuzuar si të pabazuar prapësimin e parashtruesit të kërkesës lidhur me shumën prej 24,684,003.15 euro, ndërsa kishte aprovuar pjesërisht si të bazuar prapësimin lidhur me shumën prej 315,99.85 euro”, thotë Gjykata Kushtetuese.

Gjithashtu Telekomi ka dorëzuar ankesë në Gjykatën e Apelit me pretendimin se Themelorja nuk e kishte marrë për bazë parashtresën e tij.

Edhe Gjykata e Apelit kishte refuzuar ankesën e Telekomit, duke mos e adresuar pretendimin përkitazi me pamundësinë e deklarimit, rreth precizimit të propozimit për përmbarim.

Njëjtë kishte vepruar edhe Gjykata Supreme, duke e refuzuar si të pabazuar kërkesën.

Gjykata Kushtetuese ka konsideruar se është e papranueshme që një palë në procedurë të paraqesë vërejtje apo komente para gjykatave të rregullta, pa dijeninë e palës tjetër dhe pa i dhënë mundësi palës tjetër të përgjigjet.

Kushtetuesja ka gjetur se Gjykata Themelore i kishte mohuar të drejtën Telekomit  që të deklarohet në lidhur me parashtresën e ‘Dardafon’, për precizimin e përmbarimit, pasi që aktvendimi i Themelores ishte nxjerrë po në ditën kur Telekomi ka pranuar dokumentet dhe pa pritur përgjigjet përkatëse të tij.

“Dhe Gjykata Supreme, e veçanërisht Gjykata e Apelit, e cila edhe pse kishte “juridiksion të plotë” për të vendosur lidhur me rastin, duke përfshirë kompetencën për të korrigjuar të metat e procedurës së ndjekur në Gjykatën Themelore, kishin dështuar të adresojnë të njëjtat, duke mos rikuperuar për pasojë, cenimin e parimit të “barazisë së armëve”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Duke u bazuar në këto të gjetura, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se Aktevendimet e Gjykatës së Apelit dhe të Supremes, janë nxjerrë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Si rezultat, Kushtetuesja ka vendosur që çështja të rivendoset edhe njëherë në Gjykatën e Apelit.

“Marrë parasysh që kjo e fundit, siç është sqaruar në Aktgjykim, ka “juridiksion të plotë” për të adresuar të metat procedurale të cilat kanë rezultat në kontestimin e Aktvendimit të Gjykatës Themelore”, thuhet në fund të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.