Foto-ilustrim

Gjykata e Pejës vendosi për zyrtarin policor të arrestuar për dhunim, shantazh e incizim të paautorizuar

Gjykata e Pejës ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për zyrtarin policor G.L., i cili është arrestuar nën dyshimin për veprat penale – dhunim, shantazh dhe fotografim dhe incizim të pautorizuar.

Burime të KALLXO.com thonë se Gjykata e ka miratuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit.

Zyrtari policor, G.L., me gradë rreshter, është arrestuar të premten nën dyshimin se ka kryer tri vepra penale: dhunim, shantazh dhe fotografim dhe incizim i paautorizuar.

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar të premten se rreth një muaj më parë kishte pranuar informacione përmes rrugëve operative se një i dyshuar (zyrtar policor me gradën e rreshterit në stacionin policor në Pejë) mund të jetë i përfshirë në aktivitete të kundërligjshme.

Bazuar në këto informacione, hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorin kompetent kishin filluar të ndërmarrin veprime hetimore/operative ndaj zyrtarit policor.

“Bazuar në dëshmitë dhe provat e mbledhura hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot në orët e mbrëmjes zyrtarin policor të përfshirë në këtë rast me dyshimin se i njëjti ka kryer vepër penale dhe atë nga neni 227, 329 dhe 202 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhej në njoftimin e IPK-së të premten.

Në vazhdën e veprimeve hetimore, operacioni ka vazhduar me bastisje në Pejë bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore në Pejë ku janë gjetur dhe sekuestruar prova të ndryshme.