Foto: Emmanuel Macron / Facebook

Gjermania, Franca dhe Polonia kërkojnë progres në liberalizimin e vizave për kosovarët

Gjermania, Franca dhe Polonia përmes një deklarate të përbashkët kanë kërkuar “progres në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën”.

Tri shtetet evropiane kanë thënë se mbështesin dhe presin progres në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas tyre, rruga evropiane e dy vendeve është e lidhur ngushtë nga dialogu që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Ne bëjmë thirrje për progres në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën. Vendet tona janë të përkushtuara fuqishëm ndaj Procesit të Berlinit si një mjet shtesë për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor” –  thuhet në deklaratë.

Kosova është i vetmi shtet në Evropë qytetarëve të së cilës u mohohet lëvizja e lirë në zonën shengen.

Më 19 janar 2012 Komisioni Evropian e filloi dialogun për liberalizim të vizave shtetasit kosovar. Ndërsa, katër vjet më vonë, më 4 maj 2016 Komisioni Evropian i propozoi institucioneve të BE-së liberalizimin e vizave për qytetaret e Kosovës.

Por, as pas gjashtë viteve, kosovarët nuk kanë liberalizim të vizave.

Vetë institucionet e BE-së, thanë se kosovarët i kanë përmbushur kriteret. Më 1 korrik 2018, përmes një deklarate, Komisioni Evropian konfirmoi se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

Në deklaratën e Gjermanisë, Franës dhe Polonisë thuhet se stabiliteti rajonal, varet edhe nga marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne mbështesim plotësisht dialogun Kosovë-Serbi të udhëhequr nga BE-ja dhe theksojmë nevojën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që i mundëson Kosovës dhe Serbisë të përparojnë në rrugët e tyre evropiane dhe të kontribuojnë në stabilitetin në rajon” – thuhet tutje në deklaratë.

Në fund, një vizitë nga tre vendet është paralajmëruar se do të ndodh në të ardhmen.

“Ne theksojmë rëndësinë e zbatimit të vendimit historik nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për të krijuar një treg të përbashkët rajonal. Duke pasur parasysh rëndësinë që i kushtojmë rajonit dhe si shenjë e mbështetjes sonë të përbashkët, ne kemi rënë dakord për një vizitë trepalëshe në këtë rajon dhe avokojmë për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor” – thuhet në fund të deklaratës së përbashkët të Gjermanisë, Francës dhe Polonisë.