Ilustrim

Gjendet i vdekur personi i cili u raportua i zhdukur nga familjarët në Pejë

Një person është gjetur i vdekur gjatë ditës së sotme në fshatin Sferkë në Komunën e Pejës.

I njëjti ishte raportuar gjatë ditës së djeshme si i zhdukur nga familjarët e tij.

Zëdhënësi i Policisë së Pejës, Fadil Gashi për KALLXO.com tha se gjatë gjithë kohës personi i zhdukur ishte në kërkim që nga dita e djeshme.

“Në orën 13 është gjetë personi i cili ishte raportuar i zhdukur. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes pa shenja jete. Vdekja është konstatuar në vendin e ngjarjes. Kemi njoftuar edhe prokurorinë dhe me urdhër të këtij të fundit trupi i pajetë është dërguar në IML”, tha Gashi.

Tutje ai shtoi se rasti është cilësuar si hetim i vdekjes.