Gërvalla takohet me Ministrin e Punëve të Jashtme të Lituanisë, flasin për anëtarësimin e Kosovës në KIE

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës Donika Gërvalla ka takuar ministrin e Jashtëm të Lituanisë dhe me Presidentin e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës, Gabrielius Landsbergis.

Siç bëhet e ditur në komunikatën për media të dërguar nga MPJD, Gërvalla dhe Landsbergis gjatë këtij takimi kanë folur për procesin e anëtarësimit të plotë të Kosovës në Këshillin e Europës pas mbështetjes prej 82% të votave nga Asambleja e Përgjithshme dhe për fuqizimin e bashkëpunimit në rrugën euroatlantike të Kosovës.

“Ministrja Gërvalla theksoi se, ashtu siç ka konfirmuar Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, Republika e Kosovës ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim dhe ofroi bashkëpunimin e institucioneve të Kosovës me qëllim që sa më parë të mund të mblidhet Komiteti i Ministrave për të marrë vendimin historik për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës” – thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Në komunikatë thuhet se Gërvalla në takim ka qenë e  shoqëruar edhe nga Nënkryetarja e Kuvendit Saranda Bogujevci dhe Ambasadori Lulzim Hiseni me ç’rast e kanë uruar Landsbergis për marrjen e Presidencës së Këshillit të Europës dhe se kanë falënderuar për përkrahjen e Lituanisë ndaj Kosovës për anëtarësim në KIE.