Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gërvalla: Më 20 maj Këshilli i Ministrave pret kërkesën e Kosovës për anëtarësim

Aplikimi i Kosovës në për Këshillin e Evropës do t’u shkoj në tavolinë Këshillit të Ministrave me 20 maj.

Kështu ka njoftuar ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në një konferencë për media.

Sipas ministres Gërvalla, kjo kërkesë për anëtarësim tashmë ka përkrahje brenda Këshillit të Evropës.

“Jemi dëshmitarë që gjatë këtyre ditëve shtete e ndryshme janë duke marrë vendime të rëndësishme. Ne besojmë që tani është koha për ta marrë veprimet e duhura. Prandaj edhe kemi vendosur që këtë vendim të rëndësishëm ta marrim tani”, tha fillimisht ajo.

Aplikimin e djeshëm, Gërvalla e ka quajtur “hap të duhur, në kohën e duhur”.

“Ne besojmë që ky është hap i duhur, në kohën e duhur. Fitojnë të gjithë e s’humb askush. Ne gëzojmë përkrahje brenda Këshillit të Evropës. Homologët e mi me 20 maj do ta presin kërkesën tonë për anëtarësim”, tha para gazetarëve Gërvalla.

“Është proces i gjatë dhe do të kemi sfida por jemi të gatshëm të punojmë shumë”, shtoi ajo.

Kosova dje ka dorëzuar aplikimin për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg.

Këshilli i Evropës mbron lirinë e shprehjes dhe të medias, barazinë dhe mbrojtjen e pakicave. Këshilli ka inicuar fushata për çështje si mbrojtjen e fëmijëve dhe të drejtat e romëve, pakicës më të madhe në Evropë. Po ashtu ka zhvilluar fushata për mbrojtje nga gjuha e urrejtjes në internet.

Këshilli i Evropës ndihmon vendet anëtare të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin dhe të ndërmarrin reforma të nevojshme gjyqësore.

Nga kjo organizate është përjashtuar Rusia se fundmi.

Mundësia për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës u hap me dëbimin e Rusisë nga kjo organizatë.

Në mungesë të Rusisë, dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate e njohin pavarësinë e Kosovës. Duke qenë se vendimet në merren me shumicë, mundësia e pranimit të Kosovës është reale.

Ministri i Punëve të Jashtme, Nikola Selakoviq ka thënë sot se i kishte dorëzuar presidentit serb, Aleksandar Vuçiq notat diplomatike të katër vendeve që tërhoqën njohjen e Kosovës.