Gërvalla: 50 për qind e ambasadorëve do të jenë të karrierës, s'do të ketë konsuj politik

 

Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës na raportimin e saj para Komisionit për Punë të Jashtme ka thënë që prioritet për ministrinë që ajo drejton është Ligji për Shërbimin e Jashtëm, i cili do të rregulloj edhe çështjen e ambasadave dhe konsullatave.

“Ligji për shërbimin e jashtëm do ti vë në pikëpyetje të gjitha ambasadat, konsullatat. Do të jemi shume të kujdesshëm në atë se ku i vendosim ambasadat apo konsullatat. Së shpejti do te dalim me një listë të propozimeve tona rreth asaj që ku jeni prioritet e vendosjes së ambasadave tona. Është temë shumë e ndjeshme dhe e rëndësishme të cilës do t’i kushtojmë rendësi të veçantë”, tha ajo.

Gërvalla premtoi që 50 për qind e ambasadorëve do te jenë të karrierës si dhe 50 për qind politik.

“50 për qind e ambasadorëve tanë do të jenë diplomat të karrierës, konsuj politik nuk ka në qeverinë tonë. Kjo nënkupton që ne me shumë kujdes do të ndërtojmë akademinë tonë diplomatike që diplomatet e karrierës do ti përgatis me shumë kujdes. Ndërsa sa i përket atasheve nuk kemi një zgjidhje për secilin, do të kërkojmë zgjidhje individuale duke marrë parasysh specifikat e ati vendi”, tha ajo.

Ndërsa e pyetur sesi do të emërohen konsujt, Gërvalla tha se duhet të vendosen kritere, pasi qe nuk ka.

“Që në ditët e para kam kërkuar një pasqyrë të kritereve për konsuj nderi, pra nuk ka pasur një strategji për emërim, pra janë zgjedhur nga rastësia, nuk ka pasur kritere për zgjedhje”, tha ajo.

Raportimi i Gërvallës është duke vazhduar në Komision.