Ganimete Musliu thotë se kryeministri Kurti është frikacak dhe se reciton nëpër televizione

‘Frikacak e recitues nëpër televizione’ e ka quajtur kryeministrin Albin Kurti, deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës Ganimete Musliu gjatë seancës së sotme për situatën ekonomike në vend si pasojë e pandemisë.

“Ikja e tij nga çdo temë nga çdo përballje me sfidat e qytetarëve tregon se është i padenjë, është frikacak dhe ai nuk di tjetër vetëm të dal të recitoj nëpër televizione dhe studio politike”, tha Musliu para deputetëve.

Gjatë këtij fjalimi deputetja poashtu e pyeti Kurtin nëse janë kthyer dy milionë eurot e vjedhura gjatë kohës së Qeverisë Hoti.

“Kam disa pyetje konkrete e bazike për Albin Kurtin, a e di sa kushton një litër vaj, një litër qumësht, sa kushton një bukë dhe sa kushton një kilogram sheqer, sa është vlera monetare që e marrin familjet me asistencë sociale në Kosovë, a janë kthyer ende dy milionë euro që u vodhën gjatë kohës së Qeverisë Hoti, këto janë pyetjet që duhet përgjigjur Albin Kurti. Shpresoj që njëherë e mirë ai dhe qeverisja e tij e kanë kuptuar se është lehtë për të folur, është lehtë për të propaganduar, por është vështirë kur përballesh me sfidat”, tha Musliu.