Foto: Reuters/REL

G7 do të shpallë masa kundër ndryshimit të klimës

Të dielën më 13 qershor, në ditën e fundit të takimit të vendeve më të pasura të botës, i njohur si G7, liderët pritet të miratojnë masa më të rrepta për termocentralet me qymyr, si pjesë e përpjekjeve për të luftuar ndryshimin e klimës.

Samiti i G7-ës po mbahet në Kornuall të Britanisë së Madhe.

Ai mbledh së bashku udhëheqësit e SHBA-së, Gjermanisë, Francës, Italisë, Britanisë së Madhe, Kanadasë dhe Japonisë.

Grupi G7 do të premtojë se do të shmangë impiantet e qymyrit, nëse nuk posedojnë teknologji për të ulur emetimet e karbonit.

Njoftimi erdhi nga Shtëpia e Bardhë, e cila tha se është hera e parë që udhëheqësit e kombeve të pasura janë zotuar të mbajnë rritjen e parashikuar të temperaturës globale në 1.5 gradë Celsius.

Por, për këtë nevojiten në sërë masash urgjente dhe kryesore është eliminimi i djegies së qymyrit nëse nuk përfshin teknologjinë kundër emetimit të karbonit.

Aktivistët e çështjeve të klimës, thonë se qymyri është karburanti më i ndotur në botë dhe dhënia fund e përdorimit të tij shihet si një hap i madh në adresimin e problemeve të mjedisit.

Por, ambientalistët duan garanci që vendet e pasura do të përmbushin premtimet për të ndihmuar vendet e varfra të përballen me ndryshimin e klimës.

G7 do t’i japë fund financimit të gjenerimit të ri të qymyrit në vendet në zhvillim dhe do të ofrojë mbi 2 miliardë dollarë për vendet e varfra për të ndaluar përdorimin e karburantit.

Ndryshimi i klimës ka qenë një nga temat kryesore në samitin tre-ditor në Kornuall.

Udhëheqësit e shtatë vendeve më të industrializuara pritet të përcaktojnë planet globale për të ulur emetimet nga bujqësia, transporti dhe prodhimi i çelikut dhe çimentos.

Ata pritet gjithashtu të zotohen që pothuajse të përgjysmojnë emetimet e tyre deri në vitin 2030, krahasuar me nivelet e vitit 2010.

Çfarë është ndryshimi i klimës?

Temperatura mesatare e Tokës është rreth 15 gradë Celsius. Në të kaluarën ka qenë edhe më e lartë por edhe më e ulët.

Klima në tokë përballet me luhatje natyrore, por shkencëtarët thonë se temperaturat tani po rriten më shpejt se në shumë kohë të tjera.

Kjo është e lidhur me efektin serë, i cili tregon se si atmosfera e Tokës e bllokon një pjesë të energjisë së Diellit.

Shkencëtarët besojnë se përmes lëshimit të gazrave nga industria dhe bujqësia po bllokojmë më shumë energji dhe duke rritur temperaturën.

Kjo është e njohur si ndryshimi i klimës ose ngrohja globale.

Përballja me Kinën

Të shtunën (12 qershor) liderët e G7-ës kanë pasur dallime për mënyrat e përballjes me Kinën.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, u bëri thirrje udhëheqësve të demokracive kryesore në botë për të krijuar një front të bashkuar për të konkurruar me Pekinin.

Dy zyrtarë të lartë të administratës amerikane thanë se Kanadaja, Britania e Madhe dhe Franca mbështesin qëndrimin e Bidenit për të sfiduar Kinën.

Gjermania, Italia dhe Bashkimi Evropian treguan më shumë përmbajtje për një qëndrim të ashpër ndaj Pekinit, thanë zyrtarët.

Administrata amerikane tha se Biden dëshiron që udhëheqësit e G7-ës të paraqesin një qëndrim të unifikuar kundër shkeljeve të të drejtave të njeriut ndaj myslimanëve ujgurë të Kinës dhe pakicave tjera etnike.

Aleatët e G7-ës gjithashtu bënë hapin e parë për shpalljen e një propozimi për investime në infrastrukturë në vendet në zhvillim të quajtur “Build Back Better for the World” (Të rindërtojmë një botë më të mirë).

Plani synon t’i kundërvihet iniciativës kinezë “Një Brez një Rrugë”.

Zyrtarët amerikanë thonë se kjo nuk ka të bëjë vetëm me përballjen me Kinën, por me paraqitjen e një alternative pozitive për botën.

Skema “Një Rrugë një Brez” e Kinës, e iniciuar më 2013, përfshin nisma zhvillimi dhe investimesh që do të shtrihen nga Azia në Evropë dhe më gjerë. Projekti është kritikuar pasi ka zhytur në borxhe shumë vende. Plani parasheh investime dhe huadhënie në miliarda dollarë për vendet në zhvillim.

Presidenti Biden pas përfundimit të samitit të G7-ës do të udhëtojë në Bruksel për bisedime me Bashkimin Evropian dhe aleatët e NATO-s.

Udhëtimi i tij në Evropë përfundon më 16 qershor pasi të takojë në Gjenevë të Zvicrës, presidentin rus Vladimir Putin./REL