FOTO- Vendosen tenda në oborrin e QKMF në Prishtinë
Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë janë vendosur tenda ku pritet të kontrollohen pacientët të cilët kanë simptoma të coronavirusit.
Sipas një komunikate të Ministrisë së Shëndetësisë, këto tenda janë vendosur në mënyrë që të bëhen kontrolla paraprake për personat të cilët dyshojnë se janë prekur me COVID 19 dhe për të parandaluar bartjen e infeksioneve brenda spitalit apo brenda institucioneve të kujdesit parësor.
“Në Planin e Veprimit të zbatimit të Planit të Gatishmërisë dhe të Reagimit kundër Koronavirusit Covid-10 është paraparë që në hyrje të Klinikës Infektive, Klinikës Emergjente dhe QKMF-ve të vendosen një apo më shumë tenda, brenda të cilave do të ketë pajisje dhe personal shëndetësor, sipas nevojës, që do të bëjnë një kontroll paraprak të personave të cilët mund të kenë shenja të dyshimta për Covid-19, me qëllim të parandalimit të infeksioneve brenda spitalore apo brenda institucioneve të Kujdesit Parësor Shëndetësor. Në tenda do të bëhet një kontroll paraprak si masë mbrojtëse edhe për personelin shëndetësor, por edhe për pacientët e tjerë që janë duke marrë shërbime shëndetësore në Klinikën Infektive, Klinikën Emergjente, QKMF apo në institucionet e tjera shëndetësore”, thuhet në komunikatën e ministrisë.
Deri më tani në Kosovë, janë 13 raste të konfirmuar me COVID-19.
https://kallxo.com/lajm/masat-ndaj-coronavirusit-vendosen-tenda-ne-oborrin-e-qkuk-se-foto/