Formimi i policisë së kryeqytetit ‘peng’ i politikës qendrore

Formimi i një drejtorie të policisë për kryeqytetin si pjesë e ligjit për Prishtinën po mbahet peng nga mos ndryshimi i ligjit për policinë, i cili duhet të kalojë edhe në Kuvend.

Në vitin 2018 në Kuvendin e Kosovës është miratuar ligjin për Prishtinën, ky ligj filloi të implementohet nga viti 2019.

Në kuadër të disa kompetencave që shtohen me anë të këtij ligji është edhe formimi i një drejtorie të policisë për kryeqytetin, funksionimi i së cilës rregullohet me Ligjin për Policinë dhe pritet të ketë kompetencë vetëm brenda territorit të kryeqytetit.

Formimi i kësaj drejtorie deri tani është duke u zvarritur për shkak që duhet bërë ndryshim në Ligjin për policinë i cili duhet të kalojë përmes Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Ligji për policinë është në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, dhe ajo duhet të iniciojë një draft ligj përfshirë edhe diskutimet publike me gjithë akterët e sigurisë, i cili më pas shkon në kuvend.

Ky inicim është zvarritur edhe për shkak të ndryshimit të shpeshtë të qeverive dhe ministrave të punëve të brendshme.

Zyra për informim e Ministrisë së Pushtetit Lokal e cila është edhe bashkë sponsorizuese dhe monitoruese e këtij ligji thonë se themelimi i kësaj drejtorie duhet të bëhet me anë të ndryshim plotësimit të ligjit për policinë, i cili ende nuk është bërë.

“Që nga viti 2019, kur ka hyrë në fuqi Ligji për Kryeqytetin, drejtoria e policisë e paraparë me nenin 7 të Ligjit nr. Nr. 06/L-012 për Kryeqytetin e Republikës së Kosovës, Prishtinën, nuk është themeluar. Themelimi i drejtorisë, duhet të bëhet me ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Policinë. Formimi i drejtorisë së policisë për Kryeqytetin e Republikës së Kosovës si dhe ndryshmi i ligjit për policinë është kompetencë e Ministrisë së Punëve të Brendshme”, thuhet nga MPL.

Disa prej kompetencave që pritet t’i ketë policia e kryeqytetit janë:

Kryetari i kryeqytetit pas aprovimit nga Kuvendi i Komunës i propozon drejtorit të përgjithshëm të Policisë, minimum dy kandidatë për drejtorë të drejtorisë së Policisë për kryeqytetin.

Kuvendi i kryeqytetit do të urdhërojë mbikëqyrjen e politikave lokale të sigurisë të cilat bien në kompetencë të Kryeqytetit.

Kuvendi i kryeqytetit do të ketë të drejtë të kërkoj nga drejtori i policisë së Kryeqytetit të informoj lidhur me gjendjen e sigurisë.

Me kërkesën e kryetarit të kryeqytetit, Policia e Kosovës në pajtim me ligjin për policinë, ka të drejtë të themelojë njësite të veçanta duke u bazuar në nevojat e kryeqytetit.

Ishin pikërisht këto kompetenca për policinë që kishin zvarritur gjithë procesin për ligjin e kryeqytetit

KALLXO.com ka kërkuar detaje edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme si përgjegjëse për Policinë e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës si implementuese  lidhur me këtë ligj, por nuk kemi marr përgjigje deri në momentin e publikimit.