Fjalimi mes lotësh i nënës së dy djemve të pagjetur

Luljeta Sharani ende nuk di asgjë për dy bijtë e saj, Valonin dhe Visarin, të cilët u zhdukën gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ajo thotë se kriminelët serb e ndanë nga fëmijët e saj dhe kërkon kthimin e trupave të tyre, dhe të gjithë personave të tjerë të pagjetur. Thotë se ngushëllimi i vetëm për të është drejtësia.

Në Kuvendin e Kosovës ajo u është drejtuar deputetëve të dhe kabinetit qeveritar, në shënimin e ditës ndërkombëtare të përkujtimit dhe nderimit të viktimave të gjenocidit. Duke treguar për zhdukjen e dy djemve të saj, Luljeta Sharani nuk përmbahet nga lotët.

“Për ta kuptuar nëpër çka po kalojmë ne mbyllni sytë dhe imagjinoni fëmijët tuaj, prindërit, familjaret duke ua marrë dhunshëm nga duart, imagjinoni shikimin e tyre derisa kërkon mbrojtje nga ju, dorën e ngrohtë teksa shkëputet nga e juaja, pastaj hapni sytë e shikoni fytyrat tona pjesërisht të përvuajtura, vetëm atëherë do të arrini të kuptoni shpirtin tanë, zemërimi ne zhgënjimin. Unë jam nëna e Valonit dhe Visarit të cilët s’i kam parë tash e 21 vjet, por të cilët sot i ndjejë pranë më shumë se asnjëherë, por nuk jam vetëm nana e Valonit dhe Visarit, ka 21 vite që jam nëna e secilit vajzë e djalë të vrarë, secilit të pagjetur”, thotë ajo.

Sharani thotë se djemtë e saj janë përgjegjësi e institucioneve të Kosovës prej ditës së zhdukjes së tyre.

“Bijtë tanë kanë pushuar së qeni vetëm çështje e familjes në momentin e krimit ndaj tyre, ata janë çështje e të gjithë neve, i institucioneve shtetërore, përgjegjësi e Qeverisë së Kosovës, se vetëm Serbia ka bërë krimin, ajo është fajtore, ajo duhet të akuzohet e kushtëzohet por ne familjet e të pagjeturve, familjet e të vrarëve dhe masakruarve, drejtësi nga Serbia nuk presim, vullnet prej saj nuk kërkojmë ne sytë dhe veshët i drejtojmë nga Kosova, vendi ynë, shteti ynë, përgjegjësi kërkojmë nga institucionet e Republikës së Kosovës”, thotë ajo.

Familjarja e personave të pagjetur thekson se nuk do të ndalen asnjëherë së kërkuari trupat e tyre dhe që kriminelët të dalin para drejtësisë. 21media