Filmi ‘Zana’ shfaqet premierë në Prishtinë

Filmi “Zana” me skenar dhe regji të Antoneta Kastratit ka nisur të shfaqet në kinemanë Cineplexx në Prishtinë.

Filmi shpalos traumat e pasluftës dhe pasojat më të cilat ballafaqohen shumë prej grave në Kosovë.

Ato nuk u mbështetën sa duhet dhe shumë prej tyre nuk arritën t’i mposhtin traumat e përjetuara pas humbjeve që pësuan gjatë luftës, as pas çlirimit.

Lumja, protagonistja e filmit, rol të cilin e luan Adriana Matoshi, asesi nuk ka mundur të shpëtojë nga traumat dhe dhimbja për humbjen e vajzës së saj gjatë luftës.

Pak ora para premierës, që jepet sot në mbrëmje (20 shtator 2019), ekipi i shfaqjes ka dalë para medieve duke shprehur kënaqësinë për realizimin e filmit.

Regjisorja, Antoneta Kastrati ka thënë me këtë rast se ideja për realizimin e një filmi të tillë ka lindur 20 vjet më herët por skenari ka nisur të shkruhet 5 vjet më parë.

Gjatë luftës së Kosovës, regjisorja Kastrati ka humbur nënën dhe motrën, por në film ka trajtuar dhimbjen e nënës për humbjen e fëmijës.

“Për ta realizuar sa më mirë filmin, unë kam biseduar me shumë gra. Gjithë ideja është për të treguar traumat e luftës dhe efektet afatgjate që po vazhdojnë me vite e dekada. Unë kam dashur të tregoj atë pjesë që nuk shihet dhe në fund kam dashur që Lumja të mbesë me Zanën dhe të tregojë se çfarë ajo ka humbur”, ka thënë ajo.

Ndërsa protagonistja e filmit, Adriana Matoshi, është shprehur se ka dhënë gjithçka nga vetja për realizimin e rolit që i është besuar nga regjisorja.

“Para se me fillu filmin me Antonetën kemi shkuar të varrezat e nënës dhe motrës së saj. Ajo më ka shpjegu gjithë ngjarjen. Kjo më shty me dhënë më shumë prej vetes”, ka thënë Matoshi.

Kurse, Astrit Kabashi, që luan rolin e Ilirit (burri i Lumes), ka thënë se ajo që e ka shtyrë t’i bashkohet ekipit të filmit ka qenë skenari dhe roli që i është ofruar.

“Është një personazh shumë kompleks, që ka ngecur në mes të dashurisë që ka për gruan, dhimbjes për humbjen e vajzës dhe autoritetit të nënës. Aty është i bllokuar, por gjithçka ka qenë e lehtë kur ka qenë afër një regjisore si Antoneta”, ka thënë Kabashi.

Pjesë e filmit ishin edhe Vedat Bajrami dhe Fatmire Sahiti, të cilët shprehën përshtypjet e tyre për punë ekipore në film.

“Ka qenë një rol goxha kompleks, po qasja e regjisores dhe instruksioneve që ne e kemi pasur e ka bërë më të lehtë realizmin e rolit”, ka thënë aktorja Sahiti.

Ndërkaq, aktori Vedat Bajrami është shprehur se ky film është nga filmat që më së qarti pasqyron traumat e luftës dhe pasluftës.

“Edhe pse më shumë njihem me komedi, mendoj se është gjetur mjaft mirë ajo pjesa e karakterit tim”, ka thënë Bajrami.

Gjatë luftës në Kosovë në mesin e të vrarëve nga forcat serbe ishin edhe më shumë se 1 mijë e 300 fëmijë.

Filmi “Zana” pak kohë më parë mori pjesë në Festivalin e filmit në Toronto në Kanada.

Pak ditë më parë filmi ‘Zana’ është caktuar të jetë përfaqësues i Kosovës në kategorinë “Best International Feature” për çmimin Oscar.