Regjisorja Kastrati rrëfen humbjen e nënës dhe motrës gjatë luftës

Regjisorja dhe fituesja e çmimeve ndërkombëtare, Antoneta Kastrati, ka rrëfyer në “KallxoPërnime” për vrasjen e dy anëtareve të familjes së saj gjatë luftës në Kosovë.

Kastrati ka humbur nënën dhe motrën e saj në fshatin Zahaq të Pejës.

“Unë e kam marrë motrën dhe kam dalë me të rinj, sepse kemi dalë shumë herë, atë ditë kanë ardhë një grup prej katër personave, në fakt nëna me motrën kanë qenë duke ikë, në shpinë e kojshive tanë kanë qenë 18 persona që ua kanë marrë paret e fundit edhe njëri prej tyre ka qenë që ka gjujtë me automat, është vra edhe një çikë 11 vjet”, ka treguar ajo.

Regjisorja Kastrati në kohën kur ka ndodhur lufta ka qenë 18 vjeçare.

“Motra është plagosur dhe pastaj është vra, nëna është plagosur pastaj është çu dhe e kanë marrë e kanë çu në shpi dhe i kanë marrë 20 markat e fundit dhe e kanë vra aty”, ka rrëfyer ajo.

Ky rast ka inspiruar regjisoren që të punojë fillimin “ZANA”.

“Për mu ka qenë edhe ky momenti që motra është vra para nanës, kjo ka qenë diçka që kam dashtë ‘ZANA’ me e shtjellu”, ka treguar ajo.