Ferizaj

Ferizaj, sonte pritet rezultati i 16 personave të testuar për COVID-19

Komuna e Ferizajt deri më tani ka 90 persona të infektuar me coronavirus, më së shumti nga komunat e Kosovës.

Drejtori i spitalit në këtë komunë, Jeton Zeqiri, për KALLXO.com tha se sot janë dorëzuar 16 mostra të personave që dyshohen se janë të infektuar me COVID-19.

“Informacionet që i kam deri më tani kanë qenë 19 raste të kontaktit mirëpo tre prej tyre kanë deklaruar që nuk kanë pasur kontakt me personat të cilët janë në listën e personave të kontaktit. Po besoj që sot kanë me u marrë 16 mostra”, konfirmoi ai.

Sipas tij, i gjithë historiku i kontakteve është i lidhur me punëtorët në “Bondsteel”, dhe se vazhdimisht po u bëhen testet.

” E gjithë poenta e kësaj është kontakti i personave që kanë lidhshmëri në “Bondsteel” , do të thotë të punëtorëve aty. Vazhdimisht po bëhen testime. Ne kemi bërë listën e kontaktit e kemi dorëzu në IKShPK, ata në bazë të prioriteteve dhe simptomave përcaktojnë se kë duhet testuar”, u shpreh Zeqiri.

Ai potencoi se  i vetmi problem është me personat të cilët janë në vetizolim për të cilët  po angazhojnë edhe policinë, në mënyrë që t’i detyrojnë të qëndrojnë në shtëpi dhe të jenë vigjilent, derisa të përfundojë periudha e inkobacionit dhe paraqitjes së simptomave.

Sa i përket gjendjes së të prekurve ai tha se janë stabilë.

598 persona janë të infektuar në nivel vendi, 123 të shëruar dhe 16 të vdekur.