Ferizaj, arrestohet 26-vjeçari për dhunë ndaj gruas

Një 26-vjeçar është arrestuar në Ferizaj, pasi i njëjti dyshohet se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij për të disatën herë.

Sipas njoftimit të Policisë, si fillim i dyshuari kishte ikur në drejtim të panjohur, ndërsa viktima nga Policia ishte dërguar në strehimore dhe për rastin ishin njoftuar Prokurori i Shtetit, Mbrojtësi i Viktimave të Dhunës në Familje dhe Qendra për Punë Sociale.

“Policia Rajonale e Hetimeve, përkatësisht, Sektori Rajonal i Dhunës në Familje, pas një pune hetimore intensive, sot rreth 09:00 në rrugën “Ramadan Ferizi” në Ferizaj, kanë arritur që ta arrestojnë të dyshuarin Sh.Q, 26 vjeçar”, thuhet tutje në njoftim.

I dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor në Ferizaj dhe pas intervistimit nga hetuesit, me vendim të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, është dërguar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme hetimore.