Fëmijët e SOS Fshatit mësohen të punojnë

SOS Fshati i Fëmijëve në bashkëpunim me Klubin e Prodhuesve Vendorë ka hapur sot punëtorinë “Made in Kosova”.

Aty fëmijët do të kenë mundësinë për të punuar në tre klasa, të drurit, metalit dhe punimeve 3D.

Nezahat Salihu, drejtoreshë e SOS Fshatit tha se përmes këtij projekti synojnë që të sigurojnë një kulturë të punës për fëmijët që do të punojnë aty dhe do të përmirësojë mirëqenien për ta.

“Qëllimi ynë është që t’i aftësojmë këta të rinj që të jenë kontribuues të ardhshëm të shoqërisë, të rrisim vetëbesimin, të nxisim të menduarit inovativ dhe t’i përgatisim ata për vendimmarrje dhe shpresoj që së shpejti kjo punëtori të jetë e hapur edhe për fëmijët jashtë Fshatit”, tha Salihu.

Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve Vendorë, Astrit Panxha, tregoi se  në këtë projekt janë duke punuar prej një viti dhe se shpreson që një ditë këta fëmijë të punojnë në fabrikat e tyre.

Në fund të këtij përurimi fëmijët e SOS Fshatit demonstruan punimet e tyre të bëra nga druri së bashku me trajnuesin e tyre, Hajriz Beqa.

Aktualisht në SOS Fshatin e Fëmijeve në Velani janë rreth 60 fëmijë me banim të përhershëm aty dhe rreth 600 të tjerë rrezikojnë të humbasin përkujdesjen prindërore.