Fëmijët njoftohen me punën e Avokatit të Popullit në Ditën Universale për të drejtat e tyre

Institucioni i Avokatit të Popullit për nder të Ditës Universale të të drejtave të fëmijëve ka organizuar pritje për një grup të fëmijëve nga SOS fshatrat e Kosovës.

Këta fëmijë u priten nga Avokati i Popullit, Naim Qelaj, i cili i njoftoi fëmijët për punën e këtij institucioni.

Ai u bëri të ditur se të drejtat e tyre mbrohen me ligj.

“Ajo që mua ma lehtëson punën, është se qytetaret më besojnë sepse e di që njerëzit do të mirëkuptojnë. Është besimi që të tjerët e ka tek ky institucion dhe tek unë që mua ma bënë më të lehtë ta bëjë këtë punë të vështirë. Ligji për të drejtat e fëmijëve është votuar në Kuvend dhe para 3 muajve ka filluar implementimi, nuk kemi mbërri ende ta dimë sa po zbatohet ky ligj nga ana e qeverisë”, ka thënë Qelaj.

Qelaj tutje tha se përpos që shqyrton ankesa e lëndë të ndryshme mban edhe takime të hapura me qytetarët, ngjashëm si ky i sotmi.

“Unë përpos që i shqyrtoj rastet takoj edhe qytetarët, quhen ditë të hapura sikur kjo ditë që është organizuar për juve”, shtoi tutje Qelaj.

Qelaj tutje i njoftoi fëmijët se kanë koordinim të mirë me qeverinë dhe tha se mbi 50% të rekomandimeve që japin, qeveria i zbaton.

“Ne kemi edhe koordinim të mirë, qeveria propozon ligje që garantojnë të drejtat e njeriut, në këtë rast edhe të fëmijëve, Është rritur respekti dhe bashkëpunimi nga ana e qeverisë. Unë jam i kënaqur për nivelin si i koordinojmë punët tona. Mbi 50% të rekomandimeve tona, qeveria i bënë”, shtoi tutje Qelaj.

Dita universale e të drejtave të fëmijëve u themelua në vitin 1954 nga Kombet e Bashkuara dhe shënohet më 20 nëntor për çdo vit. Kjo ditë ka për qëllim ngritjen e vetëdijes për të drejtat e fëmijëve dhe përmirësimin e mirëqenies të tyre.