Foto: Facebook/ Ramush Haradinaj

Haradinaj viziton fëmijët e SOS Fshatit

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, së bashku me bashkëshorten e tij, Anitën,  në natën e Vitit të Ri kanë vizituar fëmijët e SOS Fshatit.

“Emocion i posaçëm që në natën e Vitit të Ri, bashkë me Anitën, t’i vizitoj fëmijët e SOS fshatit, kësaj shtëpie të mrekullueshme që ofron strehim dhe ngrohë zemrat e fëmijëve të braktisur por edhe të atyre të cilët kanë humbur kujdesin prindëror”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Haradinaj ka thënë se drejtoreshën nacionale të SOS Fshatit, Nezahate Salihu, e ka falënderuar për angazhimin e saj dhe gjithë stafit për këtë mision që ai e ka quajtur shumë njerëzor, që këtyre fëmijëve pa prind t’u ofrojnë ndjenjën dhe afërsinë e familjes.

“Theksova se vëmendja e institucioneve të shtetit ndaj këtyre organizatave sociale e jofitimprurëse nuk duhet të mungojë asnjëherë”, ka thënë në fund Haradinaj.

Në Kujdesin Alternativ në kuadër të SOS-Fshatit gjatë dhjetë muajve të vitit 2019 janë pranuar 12 fëmijë të braktisur.

Fëmijët e strehuar në SOS-Fshat vijnë me kërkesën e Qendrave për Punë Sociale  dhe pas shqyrtimit nga Komiteti  i Pranimit të Fëmijëve ata merren nën  kujdes nga organizata.

Stafi përbëhet nga SOS Nëna, SOS Tezja, pedagogu, psikologu dhe punëtori social, që merren me nevojat dhe problemet e fëmijëve.

KALLXO.com kishte raportuar se në muajin tetor ishin 59 fëmijë në Kujdesin Alternativ, shërbim që ka për qëllim qasjen familjare për përkujdesje afatshkurtër dhe afatgjatë të fëmijëve të braktisur dhe fëmijëve që kanë humbur kujdesin prindëror.

KALLXO.com po ashtu ka raportuar edhe se si festohet Viti i Ri në SOS Fshat.

Viti i Ri në sofrën e SOS Fshatrave të Kosovës (VIDEO)