FDH prezanton raportin “Një proces i papërfunduar: Sfidat në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur”

“S’po kemi çka me ba se randë boll për nana. Kur po dalin në televizor: “Familjarët e të pagjetunve”, “Nanat e të pagjetunve”. Randë për neve shumë! Edhe shumë randë është nana me përmen ashtin e evladit, me ia gjetë ku o’ e ku s’o. Jemi lodhë ma. Shkojsha i preksha ren [gurët e varreve], thojsha: “Moj nanë, nashta t’kam qëtu, nashta qëtu, nashta qëtu”. Kajsha, u mërzitsha…Kurgjo hiç! Tash ma jam pshtetë për zidi — ma mirë me ia ditë vorrin, shejin… Me ia çu nji lule me shoqe… Hiç kurgjo!”, janë fjalët nga një bisedë mes dy grave, të cilat kujtojnë të dashurit e humbur në mars të vitit 1999 në Krushë të Madhe e Krushë të Vogël.

Në këtë formë gjatë ditës së sotme u hap prezantimi i raportit “Një proces i papërfunduar: Sfidat në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur”.

Raporti ka qëllim pasqyrimin më të hollësishëm për procesin e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.

Ky raport u publikua nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë dhe është realizuar në bashkëpunim me organizatën “Kosovo 2.0”.

Pjesëmarrës në këtë ngjarje ishte edhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, i cili tha se është e nevojshme të bëhet punë në zbardhjen e fatit të të pagjeturve në mënyrë që familjarët e tyre të mund të gjejnë paqe.

“Fati i personave të zhdukur duhet të zgjidhet dhe progresi për ta arritur këtë duhet të përshpejtohet, vetëm kështu familjet mund të gjejnë paqen përfundimtare që meritojnë“, tha Szunyog para gazetarëve.

Gjatë prezantimit të raportit pati edhe rrëfime të familjarëve  lidhur me rastet e të pagjeturve si dhe të rrëfime për viktimat e masakrave të kryera nga forcat serbe në Kosovë gjatë luftës së fundit, raste të dezinformatave dhe gabimeve lidhur me identifikim e mbetjeve mortore dhe vendndodhjen e trupave të të pagjeturve, dhe po ashtu edhe raste të rihapjeve të varreve.

Gjatë këtij prezantimi u tha se legjislacioni i Kosovës përmban disa mangësi të cilat diskriminojnë familjarët e personave të pagjetur.

“Përveç mungesës së një vëmendjeje me të madhe shtetërore ndaj kësaj kategorie të shoqërisë, një sfidë tjetër që ndikon drejtpërdrejt në pozitën e tyre është mungesa e harmonizimit të ligjeve dhe diskriminimi ligjor”, u tha në prezantim.

Gjithashtu nga prezantimi u bë e ditur se hartimi i këtij raporti është mbështetur në intervista me aktorët relevantë të fushës dhe në hulumtime të raporteve, analizave dhe dokumenteve relevante.

Ky raport është hartuar në kuadër të projektit “Mobilizimi i mediave dhe OSHC-ve për të mbështetur informatat e duhura për personat e zhdukur” dhe është tashmë në dispozicion në formën online.