Foto: FC Malisheva, Facebook

FC Malisheva bën historinë - kualifikohet në gara europiane

Klubi futbollistik Malisheva është kualifikuar për herë të parë në garat europiane.

Kualifikimin në Ligën e Konferencës, FC Malisheva e siguroi pas humbjes së Prishtinës në finale të Kupës së Kosovës nga Ballkani, me ç’rast skuadrës nga kryeqyteti iu pamundësua dalja në skenën europiane për sezonin e ardhshëm.

Malisheva në Superligë u rendit në vendin e katërt me 56 pikë, ndërsa Prishtina e pesta me 49 pikë.

Ekipi malishevas sot më 22.05.2024 reagoi duke thënë se bënë histori.

Ndërsa u tha se kjo është një arritje e rëndësishme që pasqyron përkushtimin, punën e palodhur dhe pasionin e çdo anëtari të ekipit.

“Nga seancat stërvitore e deri tek ndeshjet, çdo hap i këtij rrugëtimi ka qenë i mbushur me vendosmëri dhe këmbëngulje. Kemi kapërcyer sfidat, kemi shtyrë kufijtë tanë dhe kemi dalë më të fortë se kurrë më parë”- thuhet në reagim.

Tutje FC Malisheva ka falënderuar fansat dhe qytetarët e Malishevës për mbështetjen.

“Tani, është koha ta prezantojmë FC Malishevën me krenari dhe pasion në skenën evropiane. Së bashku, do të shkruajmë kapitullin tjetër në trashëgiminë e ekipit tonë”- thuhet në reagim.

Ndërsa, Llapi dhe Drita i kanë siguruar garat europiane.