Euronews: Kosova me 'hap historik' drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës

Kosova e ka ndërmarrur një hap drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës të hënën, mes kundërshtimeve të ashpra nga Serbia.

Sipas AFP, Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës e “transmetoi për opinion” kërkesën për anëtarësim të Kosovës në Asamblenë e saj Parlamentare, megjithëse nuk dihet se kur do të jepet ky vendim.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare e themeluar pas Luftës së Dytë Botërore për t’i mbrojtur të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë.

Ky Këshill e ka themeluar Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), e cila i mbron të drejtat e çdo qytetari brenda 46 shteteve nënshkruese.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz e ka përshëndetur vendimin përmes një postimi në Facebook duke thënë se kandidatura e tyre është miratuar me shumicë prej dy të tretave të vendeve anëtare.

“Për shtetin tonë të ri, vendimi i sotëm shënon një hap historik, ndoshta më i rëndësishmi që nga pavarësia jonë”, ka deklaruar Gërvalla-Schwarz, mirëpo paralajmëroi se procesi i anëtarësimit mbetet “i gjatë dhe i vështirë”.

Kosova e ka fituar pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, megjithëse Beogradi ende kundërshton çdo njohje ndërkombëtare të ish-krahinës së saj.

101 shtete e njohin zyrtarisht shtetin e vogël ballkanik, të populluar kryesisht nga shqiptarë etnikë, si të pavarur, përfshirë Britaninë e Madhe, SHBA, Francën dhe Gjermaninë.

Në muajin maj, Prishtina e ka paraqitur një ofertë për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, menjëherë pasi Rusia u dëbua për shkak të invazionit të saj ushtarak në Ukrainë.

Përjashtimi i Moskës – një aleate prej kohësh e Serbisë – u konsiderua gjerësisht si një mënyrë më e lehtë për antarësimin e Kosovës në këtë Këshill.

“Ne do të votojmë kundër të ashtuquajturit anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës”, u tha gazetarëve presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

“Kjo ditë do të mbetet si ditë turpi për Këshillin e Evropës”, ka shtuar ministri i Jashtëm i vendit, Ivica Daçiq./Euronews

Përgatiti: Nuhi Shala