‘Eurodrama’ hap thirrje për dramën shqipe

Komiteti shqiptar i “Eurodramës” ka hapur thirrjen për dramat në gjuhën shqipe, për vitin 2021 – 2022.

Për këtë edicion ky komiteti do të përzgjedhë drama nga autorët shqiptarë, të shkruara në këto 3 vitet e fundit.

“Eurodrama” është një rast i mirë për depërtimin e dramaturgëve shqiptarë në orbitën e regjisorëve dhe teatrove botërore.

Përmes një njoftimi, komiteti i shqiptar i “Eurodramës” bën të ditur se dramat mund të dorëzohen nga autorët, botuesit, agjentët, etj., në e-mail adresë: [email protected]; me titullin: EURODRAM 2021.

“Propozimet duhet të përfshijnë dramën e plotë, një përmbledhje të shkurtër të dramës (synopsis), një biografi të shkurt të dramaturgut/es, një faqe faktesh (data dhe vendi i shkrimit, numri i karaktereve, referencat për ndonjë shpërblim dhe produksionet eventuale të mëparshme) si dhe informata shtesë që mund të jenë të rëndësishme”, thuhet në njoftim e Komitetit shqiptar të “Eurodramës”.

Përzgjedhjet e tri dramave më të mira, sipas “Eurodramës” nuk nënkupton ndonjë shpërblim me pagesë.

Përzgjedhja e dramës nga ana e komitetit shqiptar është ftesë për regjisorët, teatrot dhe botuesit e ndryshëm lokal e ndërkombëtar për ta vënë në skenë apo botuar dramën e propozuar.

Afati i fundit për dorëzimin e dramave është 15 janar 2022.

Qëllimi kryesor i “Eurodramës” është që promovojë punën e dramaturgëve, që në masë të madhe mbetet e pabotuar, duke i kushtuar vëmendje diversitetit gjuhësor.