Prezantimi i ekspozitës. Foto: BIRN

Ekspozita shqiptare shfaq fytyrat e diktaturës

Një ekspozitë në vilën e ish-diktatorit shqiptar Enver Hoxha shfaq 171 portrete të zyrtarëve të lartë që ishin përgjegjës për represionin gjatë 50 viteve të sundimit totalitar në vend.

Ekspozita treditore e titulluar “Fytyrat e diktaturës”, e cila u hap të hënën në vilën e ish-liderit komunist Enver Hoxha në Tiranë, shfaq portrete të zyrtarëve të Byrosë Politike të Shqipërisë, organit më të lartë të partisë në pushtet, si dhe zyrtarëve të tjerë përgjegjës për shkeljet e të drejtave të njeriut nën ish-diktaturën komuniste të vendit.

Hoxha ishte Sekretar i Parë i Byrosë Politike deri në vdekjen e tij në 1985, kur u zëvendësua nga Ramiz Alia deri në rrëzimin e regjimit komunist. Në ekspozitë janë ekspozuar gjithashtu portrete të zyrtarëve të shërbimit të sigurimit shtetëror, figurave të larta policore dhe gjyqësore dhe shefave të kampeve të burgimit.

“Në murin e kësaj ekspozite janë fotot e personave që ishin përgjegjës për vendime të rëndësishme në lidhje me shkeljet e të drejtave të njeriut dhe represionin e ushtruar nga regjimi komunist. Edhe pas rënies së regjimit, ata nuk u përballën me drejtësinë për vendimet që morën, as nuk u penduan për veprimet e tyre”, tha Instituti për Demokraci Media dhe Kulturë, i cili organizoi ekspozitën me Institutin për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit.

Ekspozita po mbahet në kuadër të “Ditëve të Kujtesës”, një sërë aktivitetesh me fokus të kaluarën komuniste të Shqipërisë.