Edi Rama, Aleksandar Vuçiq dhe Zoran Zaev - Foto: REL

Edi Rama u shkruan kosovarëve që e kritikuan për 'Mini-Shengenin'

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar pas kritikave të shumta që i ka marrë për shkak të takimit të ‘mini-schengenit’ ballkanik, pjesëmarrjen në të cilin e ka refuzuar Kosova.

Kryeministri shqiptarë, reagimin e tij të gjatë për kritikët e ka filluar më urimit më të sinqertë për Kshtlindjet e Vitin e Ri.

Rama ka falënderuar të gjithë ata që e kanë sharë, përderisa ka drejtuar edhe një pyetje ndaj tyre.

“Ju kam ndjekur me keqardhje në rrekjen tuaj, për të më kryqëzuar si “tradhëtar”, “të shitur”, “bërllog”, madje “qen i keq” e bile edhe “djall” dhe çfarëdo tjetër gjuhës suaj, lëshuar pa fre i ka ardhur për mbarë. Faleminderit! Tani një pyetje po ju bëj, si “vëllau i Vuqiqit”, juve o “atdhetarë”, që atdheun e dini në këto raste thikë në majë të gjuhës, për të prerë dhe mundësisht për të vrarë:Si mendoni Ju, “vëllaut tim” serb i pëlqen më shumë që Kosova të vijë në tryezë a të mos vijë?”, ka pyetur Rama në facebook.

Kryeministri, Edi Rama ka theksuar se Kosova duke e refuzuar pjesëmarrjen në këtë tryezë, humbë shumë.

“Ju’a them unë që mos lodheni ta mendoni: Të mos vijë fare! Sepse duke mos ardhur në tryezë Kosova nuk flet dot, nuk dëgjohet dot, nuk ndikon dot dhe as nuk fiton dot asgjë! Ndërsa piskamat Tuaja ndaj meje, i dëgjoj unë jo ai! Madje askush tjetër, as Shtetet e Bashkuara e as Bashkimi Europian, që e mbështesin pa rezervë atë tryezë dhe e duan Kosovën bashkë me të gjithë në tryezë, nuk i dëgjojnë ato piskama dhe hiç aspak mirë nuk mendojnë për mungesën e Kosovës”, ka thënë ai.

Rama ka thënë që kritikat ndaj tij nuk e bëjnë as hero e as tradhtarë, përderisa ka theksuar se mendimin e tij për Kosovën e ka thënë në Beograd.

“Mua mallkimet e ofendimet Tuaja, sado Ju të hidheni përpjetë, nuk më bëjnë dot as tradhëtar e as Esat Pashë, ashtu sikundër lëvdatat e komplimentat në raste të tjera, nuk më bëjnë hiç asfare, as hero e as Ismail Qemal! Unë nuk isha hero kur shkova në Beograd dhe e thashë mu në Pallatin e Serbisë, shqip, atë që mendoja e që mendoj sot e gjithë ditën për Kosovën. Kosova është shtet sovran dhe Serbia duhet ta njohë si shtet, sepse është edhe në të mirën e saj të çlirohet nga fantazmat e të shkuarës. Pikë”, ka shkruar Rama.

Rama ka thënë që epiteti i heroit dhe tradhtarit, nuk do të ndikojë që ai ti ndjekë bindjen që është e drejtë për kombin shqiptarë.

“Kur u nisa atëherë për Beograd nuk latë fjalë të ulët pa më thënë. Kur u ktheva nga Beogradi, nuk latë lëvdatë të tepërt pa më dhënë. Po për mua ishte njësoj, sepse unë isha i njëjti edhe kur shkova edhe kur u ktheva, siç jam edhe sot. E njësoj si atëherë edhe sot, unë bëj atë që kam bindje se është e drejtë për vendin e për kombin tonë. Thjesht si shqiptar jo si hero, as si tradhëtar jo e jo”, ka shkruar tutje Rama.

Sipas tij, koha dhe historia do ti gjykojnë veprimet e tij.

“Lëvdatat e sharjet e rastit, nga një vesh më hyjnë e nga tjetri më dalin të them të drejtën. Jam mësuar me to dhe e di mirë që koha dhe historia nuk lexojnë gazeta e portale, as nuk ndikohen nga analistë e nga rrjete sociale. Dhe koha e historia do të flasin nesër drejtë, e do t’u japin hakun të drejtëve dhe të shtrembërve të sotëm. Të tjerat janë llafe të sotme që i merr era e nesërme”, ka shkruar ai.

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka thënë se pikërisht ideja e Vuqiqit për ‘minishengenin’ ballkanik do të hap kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Deri dje, pa u hapur ky proces që sharjet, mallkimet e fabrikimet harrojeni se e ndalin, Shqipëria dhe Kosova s’kishin asnjë shans që ta hapnin kufirin mes tyre. Zero! Sot kjo është një mundësi reale pikërisht sepse edhe “vëllau serb”, siç e quani ju Presidentin e Serbisë, kur kujtoni se po më qëlloni për vdekje me gjuhën e bërë thikë, e ka pranuar lirinë e lëvizjes së njerëzve në rajon si një prej qëllimeve madhore të tryezës. Pa kushte! Që do të thotë se kur ne të hapim kufirin mes Shqipërisë e Kosovës, nuk ngrihet dot as ai dhe as kushdoqoftë tjetër, të verë kujën për rrezikun e “Shqipërisë së madhe””, ka shkruar tutje ai.

Ramaj ka thënë që është i gatshëm të ulet me qeverinë e re të Kosovës për tia sqaruar se pse kjo ide është e mirë për Kosovën dhe pse edhe Kosova duhet të jetë pjesë e tryezës.

“Kur të krijohet qeveria e re e Kosovës dhe të ulemi në tryezë për të vijuar bashkëpunimin, tash po e shihni vetë çka sot po ju’a shpjegoj e rishpjegoj më kot, duke marrë mbrapsht ato që hidhni mbi mua kot më kot. Dhe kur Kosova, herët a vonë, të ulet nesër njësoj si Shqipëria në atë tryezë, se s’ka kah shkon tjetër përveçse nga e ardhmja, bashkë me Shqipërinë, tash e shohim kush ka të drejtë, unë apo ju”, ka theksuar ai.

Edi Rama është kritikuar edhe për “Mini-Schengenin” pjesë e të cilit nuk është Kosova, sidomos si rezultat i kërkesës së presidentit serb.

Në mbledhjen parë të këtij forumi, i mbajtur në Novi Sad, nuk ishte ftuar Kosova.

Për këtë ka reaguar edhe Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është deklaruar për takimin e fundit në Shqipëri për nismën e “Mini-Schengenit” ballkanik, të liderëve të Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Kurti përmes një publikimi në Twitter ka shkruar se parimet e gjithë përfshirjes dhe reciprocitetit duhet të udhëheqin iniciativat rajonale.“Rruga nga Beogradi për në Tiranë kalon nëpër Prishtinë. Ne jemi dhe gjithmonë do të jemi një popull dhe askush nuk mund të na hyjë në mes. Ne kemi nevojë për më shumë bashkëpunim e jo konfrontim!”, ka shkruar Kurti, i cili pas zgjedhjeve të 6 tetorit, pritet të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës