Edi Rama- Haki Abazit: Deklarata për oligarkët është shpifje banale

Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, nuk i ka pëlqyer reagimi i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Haki Abazi, ndaj rrënimit të Teatrit Kombëtar në Tiranë.

Rama iu referuar deklaratës së Abazit, i cili ka shkruar se ‘kur rrëzohet teatri për interes të oligarkëve, u shpallet luftë qytetarëve- 1000 policë do të duhej ta ruanin teatrin jo ta bënin të mundur prishjen’.

Rama ka thënë që këto janë shpifje të nivelit të ulët.

‘’Kur paska vajtur puna që edhe zëvendëskryeministri i Kosovës akuzon, shpif në mënyrë kaq banale, atëherë niveli është poshtë fare. Në Shqipëri nuk ka oligark, këta përdorin fjalë që nuk i dinë dhe teoria e këtyre që janë në këtë çorbën të krijuar medemek se ju dhimbset teatri, me gjithë se në jetën e tyre nuk kanë shkuar në teatër është shpifje”, tha Rama në T7.

“Kjo është përtej çdo limiti, është deklaratë kriminalizuese, si Hakiu nuk ka”, tha Rama.

Duke folur për rolin e shoqërisë civile si dhe karrierën e tij politike, Rama ka thënë se nuk ka pasur nevojë të shpifë asnjëherë ndaj oponentëve politikë.

‘’Unë në jetën time asnjëherë nuk e kam quajtur Sali Berishën vrasës. Nuk e kam quajtur hajdut. Nuk e kam quajtur kriminel’’, tha Rama.

Kryeministri shqiptar ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për mënyrën se si u qaset oponentëve politikë, duke e konsideruar si shembullin më të keq që i jepet të rinjve.

‘’Njëherë është Isa Mustafa kriminel pastaj bëhet profesor. Njëherë thuhet me kriminelin ne na ndanë vetëm varri dhe pastaj thuhet ja po presim profesorin që të merremi vesh për të mirën e popullit, unë këtë histori e neveris”, tha Rama.

Dje në orët e para të mëngjesit është rrënuar objekti i Teatrit Kombëtar në Shqipëri.

Në një reagim të tij, zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Haki Abazi, ka kritikuar rrënimin e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë.

Sipas Abazit, kur rrëzohet teatri për interes të oligarkëve, u shpallet luftë qytetarëve.

“Në vendet ku rrëzohet qeveria legjitime nga individ të lidhur me korrupsionin dhe krimin; në vendet ku politika e lidhur me oligarkinë rrënon teatrin dhe shtëpitë e kulturës, përveç që nuk ka zhvillim, regresi është i garantuar, nëse lejohet kjo formë e sjelljes politike”, ka shkruar Abazi në Facebook.