Edi Rama dhe Volodymyr Zelensky bisedojnë përmes telefonit, flasin për Samitin e Paqes dhe situatën në Ukrainë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka njoftuar se ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Zelensky e ka quajtur Ramën mik të madh të Ukrainës.

Ai ka thënë se bashkë kanë folur për Samitin e ardhshëm të Paqes dhe për situatën në Ukrainë.

“Bisedova me kryeministrin shqiptar Edi Rama, një mik i madh i Ukrainës, për Samitin e ardhshëm të Paqes dhe e falënderova për konfirmimin që Shqipëria do të marrë pjesë. E informova kryeministrin Rama edhe për situatën në fushëbetejë, konkretisht mbrojtjen e rajonit të Kharkivit. Ne diskutuam gjithashtu bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm në mbrojtje”.

 

Zelensky ka qëndruar në një vizitë zyrtare në Shqipëri më 28.02.2024 dhe është pritur në takim nga kryeministri Edi Rama.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24.02.2022.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Në kundërpërgjigje të Rusisë, vendet perëndimore, përfshirë edhe Kosovën, kanë vendosur sanksione të ashpra dhe po e ndihmojnë Ukrainën me pajisje ushtarake.