Edhe Haradinaj refuzon të takohet me Kurtin

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka refuzuar takimin me Kryeministrin, Albin Kurti, sikurse kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.

“Sa i përket temës së kësaj darke, besoj se kjo bie në përgjegjësinë e shefave të grupeve parlamentare” – ka shkruar Haradinaj.

“Z. Besnik Tahiri, i cili udhëheqë grupin tonë parlamentar dhe kolegë tjerë, jam i bindur se do të diskutojnë në frymën kolegiale dhe do të gjejnë një gjuhë, që pastaj do të përçohet në Kuvend nga grupet tona parlamentare për zbatim. Konsideroj që kjo temë bie drejtpërdrejt në përgjegjësinë dhe në dijen e tyre” – ka thënë më tej kreu i AAK-së.

Por, ai është shprehur i gatshëm që të diskutojnë në një moment tjetër në qoftë se ka tema të tjera për të përafruar qëndrimet në interes nacional.

Edhe Abdixhiku ka shkruar se agjenda legjislative e Kuvendit mund të diskutohet në Kryesinë e Kuvendit mes përfaqësuesve politikë dhe ka konsideruar se ftesa është e vonuar.

Ndryshe nga LDK e AAK, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka pranuar të takohet me kryeministrin të hënën, më 13.05.2024.