Dyshime: Gruas nga Vitia iu konstatua virusi tre ditë pas vdekjes

Qytetari Hatif Pira nga komuna e Vitisë thotë se një familjare e tij, 72 vjeçare, tre ditë pasi ka vdekur në Emergjencë në Prishtinë, është konstatuar se ka qenë e prekur nga virusi COVID-19.

Pira thotë se halla e tij nga fshati Smirë i Vitisë është dërguar në Emergjencën e QKUK-së nga Spitali i Gjilanit të enjten, ndërsa pasi është pranuar, ka vdekur, si pasojë e gjendjes së rëndë shëndetësore.

Ai thotë se e ndjera kishte sëmundje shoqëruese si diabeti dhe anemia, por që simptoma të virusit nuk kishte.

“Në Emergjencë pasi është pranu ka vdekur. Në raportin mjekësor shkruan se ka pasë atak kardiak. Ndërsa tre ditë pasi ka vdekur, mëngjesin e të shtunës me 20 qershor na kanë njoftuar nga Drejtoria Rajonale e  Shëndetit Publik në Gjilan, se e ndjera kishte dalë pozitiv me virusin corona”, ka thënë Pira për KALLXO.com.

Pira thotë se kufoma e të ndjerës ka qëndruar për tre ditë në xhaminë e fshatit, duke pritur që fëmijët e saj të kthehen në Kosovë, ndërsa të shtunën është njoftuar se ka dalë pozitiv me COVID-19 dhe si pasojë hoxhallarët kanë refuzuar ta lajnë dhe t’i kryejnë proceset fetare.

“Të shtunën është varrosur pa u larë dhe pa procese fetare, pasi hoxhallarët kanë refuzuar t’i kryejnë, pasi na kishin njoftuar se ka qenë pozitive. Është varrosur ashtu”, ka thënë Pira.

Ndërsa drejtori i Shëndetësisë në komunën e Vitisë, Basri Aliu, në një përgjigje për KALLXO.com, e ka konfirmuar rastin, duke thënë se mostrat e të ndjerës janë marrë për testim menjëherë kur është pranuar në Emergjencë.

“Fillimisht ka qenë një gabim teknik prej Institutit. Ndërsa, një ditë para se me u vorrosë e kemi marrë njoftimin që ka dalë pozitiv me COVID-19. Por që fillimisht gabimi ka qenë se në email ka qenë e shkruar se është nga Gjilani dhe ne ashtu e kemi konsideru. Ndërsa të nesrit në mëngjes na kanë njoftu se është nga fshati Smirë i Vitisë”, ka thënë Aliu për KALLXO.com.

Aliu ka thënë se normalisht rezultatet e testimit nuk kanë mundur që të kuptohen menjëherë dhe për atë arsye në raportin mjekësor ka qenë e shënuar si atak kardiak.

“E kemi dezinfektuar shtëpinë e të ndjerës dhe i kemi marrë mostrat e familjarëve dhe të konaktit dhe jemi duke pritur për rezultatet nga IKShPK-ja”, ka thënë në fund Aliu.