Dy të arrestuar në aksionin e prokurorisë për fajde në Prizren

Dy persona janë arrestuar nën dyshimin për fajde në një aksion të Prokurorisë së Prizrenit në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës – Sektorin e Hetimeve Rajonale në Prizren, të mbështetur edhe nga njësitë dhe stacionet tjera policore në Prizren dhe Prishtinë.

Të dyshuarit po ngarkohen për veprat penale fajdeja, detyrimi, asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë dhe veprën penale fajdeja në ndihmë.

Aksioni i ndërmarrë është realizuar në tri lokacione të ndryshme ku të pandehurit gjatë aplikimit të masave të fshehta të vëzhgimit dhe hetimit, janë arrestuar në flagrancë.

Pamje – Arrestime për fajde, detyrim dhe dëmtim prone në Prizren

Në komunikatën e Prokurorisë së Prizrenit thuhet se të njëjtit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, duke kontraktuar shuma dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), viktimën e fajdesë nga i cili shfrytëzojnë gjendjen tejet të rënduar financiare, papërvojën e tij dhe të njëjtit i ofrojnë një shumë të të hollave në formë të borxhit të cilin më pas e ngarkojnë me kamata të larta dhe të pa përballueshme.

Kurse, njëri nga të pandehurit, gjithashtu përdor forcën dhe kanosjen në mënyrë permanente ndaj të dëmtuarit, për ta detyruar që t’i kryej veprime në dëm të pasurisë së tij.

“I dyshuari shkon në shtëpinë e të dëmtuarit, fillon të bërtasë dhe ta shajë të dëmtuarin, më pas i’a përplasë telefonin për toke dhe e godet me grushta në pjesën e djathtë ballore dhe gjithashtu me mjet të fortë e godet në kokë, duke i shkaktuar lëndime trupore”, thuhet në njoftim.

Me aktvendim të prokurorit, të pandehurit janë ndaluar për 48 orë dhe brenda afatit ligjor do të paraqitet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të njëjtëve.

Ditë më parë #KallxoPernime transmetoi emisionin për arrestimin e të dyshuarve për fajde në Prizren.

Siç raportoi #KallxoPernime, një hetim i cili kishte nisur gjashtë muaj më parë kishte përfunduar me pesë të arrestuar në rajonin e Prizrenit nën dyshimin se të njëjtit merreshin me fajde.

Tetë lokacione ishin bastisur, ishin zhvilluar disa takime mes të dyshuarve dhe viktimës, janë konfiskuar një mori dokumentesh, vetura e armë në aksionin e Policisë së Kosovës të udhëhequr nga prokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu.

Më 22 dhjetor ekipe të shumta policore ishin vendosur në Drejtorinë rajonale të Policisë në Prizren. Të njëjtit prisnin urdhrin të ndërhynin e të arrestonin disa persona të cilët dyshoheshin se jepnin fajde ndërsa kamata ishte e lartë.

Si u zbulua rrjeti i fajdexhinjve në Prizren?