Dushi: Kërcënimi i KQZ-së është shkelje kushtetuese dhe tentim për favorizim të një grupi politik

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur një konferencë për media në lidhje me deklarimin e U.D Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në lidhje mbledhjen e KQZ-së ku u kundërshtua certifikimi i të gjithë kandidatëve për deputetë.

“Ajo çfarë kemi parë në mbledhjen e KQZ-së,ka qenë e pahijshme dhe e pa pranueshme për një institucion që duhet me doemos që të ruajë integritetin e tij. Para syve të të gjtihë qytetarëve në transmetim të drejtpërdrejt u bë presion marramendës ndaj Zyrës për çertifikimin e partive politike, si dhe u ushtrua presion ndaj udhëheqsit të kësaj zyre. Kjo zyrë vepron e pavarur politikisht dhe rekomandimet e së cilës i drejtohen KQZ për vendime kolegjiale”, ka thënë Osmani.

Kandidatja për deputete nga LDK, Ardita Dushi ka thënë se kërcënimi i Osmanit ndaj KQZ-së është shkelje kushtetuese dhe tentim për favorizim të një partie politike.

“Dje është kërcënuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ky është institucion i pavarur që nuk guxon të cenohet për punën e tij. Ky institucion është kërcënuar nga ata që janë të obliguar sipas Kushtetutës funksionim të pavarur dhe kushtetues të këtij institucioni. Ky kërcënim është shkelje kushtetuese për dy arsye, e para, është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punën e KQZ-së dhe e dyta është tentim për favorizim të një grupi politik. Për herë të parë që nga vitit 1999 ndodh një kërcënim i tillë dhe ndërhyrje flagrante në pavarësinë e punës së KQZ-së. Nuk guxojmë të lejojmë që në vitin 2021 të kemi precedente të tilla”, ka përfunduar Dushi.

Ajo ka bërë të ditur se slogani i LDK-së për zgjedhjet e 14 shkurtit do të bëhet publik pasdite.