Durrës: Policia gjen vajzën trevjeçe që u raportua e humbur në plazhin e Spillesë

Policia Kufitare e Qarkut Durrës në bashkëpunim me Skuadrat e Njësisë Policore Detare brenda pak minutave kanë gjetur një të mitur 3-vjeçe, e cila ishte raportuar e humbur nga prindërit e saj në plazhin e Spillesë.

Sipas një njoftimi të Policisë, vajza ishte gjetur duke ecur e vetme përgjatë vijës bregdetare.

“Rreth orës 17:00 policia kanë marrë njoftim nga një shtetas nga Elbasani, i cili po pushonte me familjen në plazhin e Spillesë, se vajza e tij 3-vjeçare kishte humbur kontaktet me prindërit dhe nuk po e gjenin dot. Shërbimet e Policisë Kufitare dhe patrullat tokësore, menjëherë kanë nisur kontrollin përgjatë vijës bregdetare dhe si rezultat i monitorimit të vijës bregdetare nëpërmjet Jet Ski, brenda pak minutave bënë të mundur lokalizimin e 3-vjeçares që lëvizte e vetme përgjatë vijës bregdetare”- thuhet në njoftim.

Tutje, në njoftim potencohet se punonjësit e Policisë kanë shoqëruar 3-vjeçaren tek prindërit, të cilët falënderuan Policinë për reagimin e menjëhershëm për gjetjen e saj.

Policia e Shtetit bëri të ditur se siguron qytetarët se ka marrë të gjitha masat për të garantuar rendin e sigurinë përgjatë gjithë vijës bregdetare, me patrulla nga toka dhe deti, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë për pushuesit, vizitorët e turistët.