“Duam objekt”, nxënës të shkollës "Prenk Jakova" ia ndërpresin fjalimin Ramës

Nxënës të shkollës së muzikës ‘Prenk Jakova’ në kryeqytet kanë ndërhyrë me disa pankarta gjatë konferencës së Komunës për punët që po i kryen “Arkitekti i Kryeqytetit”, duke kërkuar të dinin se kur do t’u sigurohet një objekt shkollor,

Me shkrime “Duam objekt”, “Edhe sa me prit”, “75 vjet pa objekt”, nxënësit kërkuan përgjigje nga ana e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.

I pari i kryeqytetit u shpreh se projekti është gati, por ende janë në negociata për pronën.

“E kemi bërë hapësirën tash ku është ‘Burger King’ afër ish- Rilindjes. Kemi bërë projektin për këtë shkollë, por e kemi një pjesë aty që Agjencia e Privatizimit i ka disa objekte. Jemi në negociata që t’i blejmë e t’i shpronësojmë për ndërtim të shkollës”, tha Rama.

“E kemi një rini të mrekullueshme”, shtoi ai.

Nxënësit e shkollës ‘Prenk Jakova’ aktualisht ndjekin mësimin në një aneks të shkollës së mesme të mjekësisë ‘Ali Sokoli’.