Foto: Policia e Kosovës

Drejtori i Policisë vizitën e parë brenda organizatës policore e realizoi në stacionet në veri të vendit

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, vizitën e parë brenda organizatës policore e ka bërë në katër stacionet policore në veri të vendit.

Më të ishin edhe zëvendësdrejtori Dejan Jankoviq dhe disa bashkëpunëtorë të tjerë.

Në njoftimin e Policisë bëhet e ditur se gjatë kësaj vizite drejtori i përgjithshëm nga afër u njoftua me punën e angazhimin e stacioneve policore në Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë Veri.

Aty ai është takuar me komandantët e stacioneve në detyrë dhe zyrtarët policorë që operojnë në zonat e përgjegjësisë së tyre.

Sipas Policisë, prej fillimvitit deri më 15 mars janë raportuar dhe evidentur 109 raste.

“Menaxhmenti policor u informua se gjatë kësaj periudhe kohore (01 janar 2023 deri me 15 mars 2023) janë raportuar dhe evidentuar (109) raste të natyrave të ndryshme, të cilat janë menaxhuar me sukses nga stacionet policore në veri të vendit” – thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, drejtori Hoxha me këtë rast ka pohuar se arritja e objektivave dhe përmbushja e obligimeve ligjore dhe kushtetuese është arritur falë punës ekipore, bashkëpunimit, në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe shërbimit ndaj qytetarëve pa dallim.

“Në fokus të këtij takimi ishte edhe ngritja e mëtejme e aktiviteteve policore të policimit në bashkësi, inkurajimi i qytetarëve dhe komuniteteve pa dallim për rritje të mëtejme të bashkëpunimit dhe raportimit të rasteve për një siguri edhe më të madhe”- bëhet e ditur nga Policia e Kosovës.

Përmes njoftimit theksohet se në takim ndër objektivat kryesore ka qenë bashkëpunimi ndërinstitucional me qytetarët për menaxhimin e sigurisë, parandalimin e krimit dhe kontrabandës si dhe ofrimin e sigurisë për qytetarët.